Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, reagoi sot në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se historia e luftës për liri nuk mund të rishkruhet, duke e cilësuar përballjen e tyre si “betejën e fundit” për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar.
“Askush nuk do ta rishkruajë dot historinë e lirisë sonë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi sot kanë betejën e fundit për të mbrojtur dinjitetin e kombit tonë, përballë absurdit të barazimit të agresorit me çlirimtarin”, shkruan ajo.
Koçiu theksoi se “sado të përpiqen të baltosin luftën e një populli për liri, drita e atij agimi nuk mund të mbulohet kurrë. Liria ka emër.
Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.
Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
