Konsullata e Nderit në Napoli, Rama: Italia, alter egoja jonë europiane

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ishte dje në Napoli të Italisë, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Rama e cilësoi hapjen e konsullatës jo thjesht si një përfaqësi diplomatike, por si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke vënë theksin te afërsia historike dhe njerëzore mes shqiptarëve dhe italianëve.

“Sot jemi këtu jo për të hapur një konsullatë në kuptimin e ngushtë të fjalës, por për të hapur një derë mes dy realiteteve që historikisht kanë qenë shumë pranë dhe që, njerëzisht, janë shumë, shumë të ngjashme”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, por tha se raporti mes dy vendeve shkon përtej partneritetit ekonomik apo politik.

“Italia nuk është ajo. Italia është alter egoja jonë europiane”, tha Rama.

Duke iu referuar Napolit, Rama bëri një krahasim me Shqipërinë, duke e cilësuar qytetin italian si një pasqyrë të shqiptarëve në anën tjetër të Adriatikut.

“Dhe Napoli është pasqyra jonë nga kjo anë e detit, sepse ne jemi napolitanët e anës tjetër dhe jemi krenarë që jemi të tillë dhe nuk duam të bëhemi milanezë, për të thënë”, tha Rama.

Rama e mbylli fjalën duke shprehur kënaqësinë për inaugurimin e Konsullatës së Nderit dhe për praninë e flamurit shqiptar pranë atij italian.

“Unë jam këtu shumë i lumtur që po e jetoj këtë moment gëzimi, këtë moment ku, edhe pse nuk po, le të themi, shpallim Republikën Shqiptare të Napolit, por gjithsesi kemi hapur së bashku një derë ku është flamuri i Shqipërisë dhe unë jam gjithmonë i lumtur kur e shoh pranë flamurit Italian”, tha Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër