Komunikimi faktor kryesor për besimin në polici – prezantohen rezultatet në konferencën globale të Interpolit

Nga Xh M
516 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Lyon, 4 maj Zhurnal.mk – Ndihmësministri për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Muhamed Ismaili, mori pjesë në Konferencën e Parë Globale për Komunikimin Policor të INTERPOL-it, e cila u mbajt nga data 28 deri me datën 30 prill në Lyon, në Francë.

Në konferencë, e cila mblodhi përfaqësues të shërbimeve policore dhe ekspertë të komunikimit nga shumë vende, Ismaili mbajti një fjalim me temë “Komunikimi i jashtëm në punën policore, marrëdhëniet me publikun, mediat dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Në paraqitjen e tij, ai theksoi rëndësinë e komunikimit transparent dhe në kohë si parakusht kryesor për funksionimin e suksesshëm të institucioneve moderne policore, duke nënvizuar se komunikimi me publikun është pjesë thelbësore e sistemit të sigurisë.

Ismaili prezantoi edhe rezultatet konkrete të aktiviteteve të komunikimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar zhvillimin e një qasjeje shumëkanalëshe në informimin e publikut, përfshirë konferencat për shtyp, rrjetet sociale, faqen zyrtare të internetit dhe buletinet ditore.

“Komunikimi i vazhdueshëm dhe profesional ndikon drejtpërdrejt në besimin ndaj institucioneve. Sot ky besim është i matshëm – mbi 65% besim në polici dhe një indeks i transparencës aktive prej 95,7%, që e pozicionon Ministrinë ndër institucionet udhëheqëse në vend”, theksoi Ismaili.

Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025, Ministria ka përpunuar mbi 4.000 informacione, ka dhënë përgjigje për më shumë se 3.500 kërkesa nga mediat dhe qytetarët, ka publikuar 365 buletine ditore dhe ka realizuar rreth 200 video në kanalin e saj në YouTube, ndërsa numri i ndjekësve në rrjetet sociale shënon rritje të vazhdueshme.

Në fjalim u theksua edhe rëndësia e komunikimit në situata krize, si dhe nevoja për një qasje të koordinuar në informim kur bëhet fjalë për sfidat e sigurisë transnacionale.

Në konferencë u trajtuan tema aktuale që lidhen me komunikimin modern policor, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale dhe digjitalizimin, bashkëpunimin me mediat ndërkombëtare, praktikat më të mira për angazhimin me komunitetin dhe rekrutimin, komunikimin digjital të policisë, si dhe komunikimin për krimin e organizuar transnacional.

Pjesëmarrja në konferencë përbën edhe një dëshmi tjetër të përfshirjes aktive të Ministrisë së Punëve të Brendshme në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e komunikimit policor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër