Konakoviq letër Rubios: Nëse reduktohet prania amerikane në Ballkan, i hapni rrugë Rusisë

Nga Xh M
2,622 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sarajevë, 2 korrik Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, i ka shkruar letër sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke e alarmuar se nëse reduktohet prania amerikane në BeH, do të hapej rruga për forcimin e ndikimit rus dhe destabilizimin e shtetit.

Në një letër të gjatë, zyrtari boshnjak ka thënë se Bosnjë-Hercegovina e ka marrë shumë seriozisht mesazhin për mundësinë që SHBA-ja të rikonsiderojë rolin në praninë ndërkombëtare në këtë shtet, nëse nuk arrihet të gjendet një përfaqësues i ri i Lartë.

“Çfarëdo reduktimi i rolit të SHBA-së do të rrezikonte hapjen e një hapësire që shpejt do të mund të zihej nga Federata Ruse, aleatët e saj dhe satelitët lokalë, si dhe akterë të tjerë qëllimi i të cilëve nuk është stabiliteti, por dobësimi i marrëveshjes së Dejtonit, pengesa e së ardhmes euroatlantike të Bosnjë-Hercegovinës dhe shpërndarja e ndikimit malinj në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Konakoviq në letër.

Konakoviq e ka cilësuar jetike përzgjedhjen e një Përfaqësuesi të ri të Lartë. Këtë post aktualisht e ka marrë përsipër diplomati amerikan, Louis J. Crishock, si ushtrues detyrë deri në përzgjedhjen e një përfaqësuesi të ri. SHBA-ja dhe shtetet evropiane dështuan një ditë më parë që të përzgjedhin një pasues të Christian Schmidtit.

Konakoviq në letrën e tij ka thënë se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë është institucion kyç për implementimin e Marrëveshjes së Dejtonit, sidomos në rrethanat, “kur rendi kushtetues, autoriteti i institucioneve shtetërore, sovraniteti dhe integriteti territorial i BeH-së po sfidohen”.

Tek ka shkruar për sulmet direkte të Marrëveshjes së Dejtonit, Konakoviq ka përmendur ish-presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik. “Rreziku vjen nga një projekt politik ndarës, i mbështetur e nxitur nga Moska, që sheh të shfrytëzojë dobësitë institucionale, traumat historike e pavendosmërinë ndërkombëtare. Një politikë e tillë mund të shërbejë vetëm për të ringjallur konfrontimet dhe luftërat”, ka shkruar ai.

Edhe në mbledhjen e mbajtur në Sarajevë të martën, zyrtarët evropianë kanë mbajtur qëndrimin e tyre duke e kundërshtuar kandidaturën e Antonio Zanardi Landit, diplomat i propozuar për Përfaqësues të Lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia. Në të njëjtën kohë, Washingtoni nuk e ka mbështetur kandidatin për të cilin kanë avokuar Gjermania dhe Franca – diplomatin francez Rene Troccaz.

Mospajtimi ka çuar në paralajmërime për tërheqje të pranisë amerikane nga Bosnjë-Hercegovina.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër