Konferenca e 42-të e FBINAA European Chapter, Hita: Krimi nuk respekton kufijtë, siguria duhet t’i kapërcejë

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Në Tiranë zhvilloi punimet Konferenca e 42-të e Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter, me pjesëmarrjen e 235 përfaqësuesve të FBI-së dhe agjencive ligjzbatuese nga Evropa, SHBA dhe më gjerë.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, drejtues të agjencive ligjzbatuese, presidenti ndërkombëtar i FBINAA dhe ambasadorja në detyrë dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy Vanhorn.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në fjalën e tij tha se zhvillimi i konferencës në Shqipëri tregon nivelin e bashkëpunimit dhe besimit të ndërtuar nga Policia e Shtetit me agjencitë ligjzbatuese partnere në Evropë, SHBA dhe më gjerë.

“Jemi pjesë aktive për t’u përpjekur së bashku për të luftuar fenomenet kriminale që nuk njohin kufi”, u shpreh Hita, duke theksuar se rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, përdorin teknologjinë dhe lëvizin para, njerëz dhe aktivitete nga një shtet në tjetrin.

Ai nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit në kohë të informacionit, ndarjes së ekspertizës dhe forcimit të besimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Sipas Hitës, Policia e Shtetit ka investuar në modernizimin e strukturave, digjitalizimin e shërbimeve, analizën e të dhënave, hetimin kibernetik, strukturat operacionale dhe ato të antiterrorit.

“Akademia Kombëtare e FBI-së ka krijuar ndër vite një komunitet profesionistësh që tejkalon kufijtë dhe që e sheh sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët”, tha ai.

Hita vlerësoi gjithashtu rezultatet e operacioneve të përbashkëta me FBI-në, DEA-n, Europolin, Interpolin dhe agjenci të tjera ligjzbatuese kombëtare e ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si dëshmi të bashkëpunimit dhe profesionalizmit në rritje.

Në fjalën e tij, kreu i Policisë së Shtetit përmendi edhe sakrificën e 232 punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

“Krimi nuk respekton kufijtë, ndërsa siguria duhet t’i kapërcejë ato”, theksoi Hita, duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi janë thelbësorë për përballjen me kërcënimet kriminale ndërkufitare.

Konferenca e FBINAA European Chapter synon forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave mes profesionistëve të agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër