Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

Nga D. V.
358 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se sot në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët u pritën në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar së bashku me deputetin Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Gjatë takimit, sipas Rexhepit, u diskutuan në detaje problemet me të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen prej dekadash, duke përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e përfaqësimit institucional dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

“Patëm mundësinë të shtjellojmë të gjitha temat dhe çështjet me të cilat, tash e me dekada, përballet Lugina e Preshevës. Pasivizimi, mosnjohja e diplomave, mospërfaqësimi në institucione, varfërimi dhe moszhvillimi i komunave tona kanë një qëllim të qartë: shpopullimin e Luginës nga shqiptarët”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka theksuar se mungesa e investimeve dhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.

“Mungesa e investimeve, bllokimi i mjeteve nga Republika e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar, centralizmi i shtetit në çdo institucion, moshapja e kufirit Miratoc–Llojan, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe i Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë dëshmi të qarta të një qasjeje diskriminuese”, është shprehur ai.

Në takim ishte e pranishme edhe Teuta Fazliu, e cila sipas Rexhepit është një nga rastet e shqiptarëve të prekur nga pasivizimi i adresave dhe që çështjen e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut.

“Kongresmenët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët”, ka thënë Rexhepi.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe projektligjit të iniciuar nga kongresmeni amerikan Keith Self, për të cilin Rexhepi tha se po shihet si një shpresë e madhe për mbështetje ndërkombëtare ndaj shqiptarëve të Luginës.

“Projektligji i kongresmenit Keith Self, i cili ka gjetur mbështetje nga të dy kampet politike në SHBA, mbetet shpresa jonë e madhe për mbështetje ndërkombëtare që do ta detyrojë Qeverinë e Serbisë të ndalojë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaroi ai.

Në fund, Rexhepi ka falënderuar kongresmenët amerikanë për vizitën dhe mbështetjen e tyre, duke nënvizuar lidhjen e fortë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shqiptarët në përgjithësi, e ata të Luginës në veçanti, mbeten komuniteti më proamerikan në rajon”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër