Bled, 1 shtator Zhurnal.mk – Vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të marrin një sinjal të qartë se BE-ja e merr seriozisht procesin e zgjerimit dhe se është e gatshme për të – deklaroi sot Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Forumin Strategjik të Bledit (BSF).
– Vendet kandidate për anëtarësim duhet të marrin një sinjal të qartë se BE-ja e merr seriozisht zgjerimin dhe se është e gatshme për të – deklaroi Kos në panelin me titull “Zgjerim apo margjinalizim?”, raportoi Agjencia Sllovene e Lajmeve STA.
Sipas Kos, zgjerimi nuk është i mundur pa mbështetjen e liderëve evropianë.
– Sigurisht, vendet kandidate fillimisht duhet t’i përmbushin kushtet për anëtarësim; zgjerimi do të zhvillohet mbi bazën e rezultateve të arritura, por edhe liderët evropianë duhet të jenë të gatshëm ta mbështesin zgjerimin. Në të njëjtën kohë, liderët e vendeve anëtare duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre pse ky proces është i rëndësishëm, pasi duhet të flitet edhe për faktin se në vendet anëtare ekziston frika nga zgjerimi – theksoi Kos.
Ministri malazez i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, vlerësoi se lufta në Ukrainë tregoi se procesi i zgjerimit “nuk është vetëm çështje reformash, por edhe çështje sigurie”.
Mali i Zi, i cili së bashku me Shqipërinë ka shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në BE, dëshiron t’i përfundojë negociatat me Brukselin deri në fund të vitit.
Në panel mori pjesë edhe ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili theksoi se nëse vendi i parë që përmbush kushtet do të anëtarësohej në BE, kjo do ta “thyente rrethin vicioz”.
– Ky do të ishte mesazhi i vërtetë për vendet – pasi t’i përmbushin kushtet, i pret anëtarësimi në BE. Zgjerimi është një proces i dyanshëm – detyrat e shtëpisë duhet t’i përfundojnë si vendet kandidate, ashtu edhe BE-ja, e cila në rast të një bllokimi të ri do ta humbiste kredibilitetin e saj – shtoi Hoxha.
Të njëjtën gjë e theksoi edhe sekretarja shtetërore për çështjet evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tamara Vajngerl Pozhar, e cila vlerësoi se BE-ja duhet të mbetet e besueshme në procesin e zgjerimit.
– Sllovenia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fortë e zgjerimit, si në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe në rastin e Ukrainës dhe Moldavisë, me theks te parimi i trajtimit të barabartë dhe përmbushjes së kushteve – tha ajo.
Folësit, mes të cilëve ishte edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Natalie Kauter, u pajtuan se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për çështjen e zgjerimit të BE-së, në prag të samitit të BE-së në tetor dhe publikimit të raportit vjetor të BE-së për zgjerimin.
– Detyra jonë është t’i bindim evropianët se zgjerimi i BE-së nuk është i rëndësishëm vetëm për Ballkanin Perëndimor, por është në interesin kombëtar të të gjitha vendeve anëtare. Shumë njerëz dyshojnë në zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, prandaj është kaq e rëndësishme që dy vendet kryesuese kandidate, Mali i Zi dhe Shqipëria, të kenë sukses. Nëse zgjerimi dështon, kostoja nuk do të jetë e lartë vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për BE-në – theksoi Kauter.
