Kos: Shqipëria përparim në zbatimin e reformave kyçe, të vazhdojë puna për mbylljen e negociatave në 2027

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi Paketën e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për vitin 2026.

Komisioni Evropian miratoi sot Paketën vjetore të Zgjerimit, e cila vlerëson përparimin e bërë gjatë vitit të kaluar nga vendet partnere që synojnë anëtarësimin në BE dhe përcakton prioritetet e reformave për periudhën e ardhshme.

Zgjerimi është një nga politikat më të rëndësishme të BE-së, që garanton paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në të gjithë kontinentin. E mbështetur fort në parimin e meritave, një politikë e besueshme zgjerimi po kthehet gjithnjë e më shumë në një investim për sigurinë e përbashkët të Evropës.

Paketa e këtij viti tregon se përpjekjet e vazhdueshme për reforma sjellin përparim konkret drejt anëtarësimit në BE, siç dëshmohet nga Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina.

Të katër vendet kanë avancuar në negociatat e anëtarësimit, duke hapur grupkapituj negociues dhe duke mbyllur përkohësisht kapituj me një ritëm të paprecedentë.

“Përmbushja nga Shqipëria e reformave të kërkuara nga BE-ja është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kryesore”, tha Kos.

“Këtë vit, u arrit një moment i rëndësishëm me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme në fushat themelore. Që atëherë, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për të përmbushur kriteret për mbylljen e kapitujve të tjerë”, shtoi ajo.

“Në të njëjtën kohë, nevojitet vijimi i përqendrimit dhe përparimit në fusha kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027”, tha komisionerja për Zgjerimin, Kos.

“Në themel të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë shteti i së drejtës, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi”, shtoi ajo.

“Kjo ka rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve të saj. Përfshirja kuptimplotë e të gjithë shoqërisë është thelbësore për të garantuar një proces të qëndrueshëm legjislativ”, tha Kos.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër