Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi sot se, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po merr një ritëm më të shpejtë, ndërsa vendet anëtare do të diskutojnë mekanizma më të fortë për garantimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e reformave
Në një deklaratë për mediet para mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg, Kos konfirmoi se sot pritet të mbyllet një kapitull negociues me Shqipërinë, në kuadër të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE.
“Mbrëmjen e kaluar, Mali i Zi mbylli edhe tre kapituj të tjerë të negociatave. Sot, do të mbyllim një kapitull negociues me Shqipërinë dhe do të hapim nga dy grupkapituj negociues me Ukrainën dhe Moldavinë”, u shpreh Kos.
Ajo theksoi se, ndërsa procesi i zgjerimit përparon, Bashkimi Evropian duhet të sigurohet se do të bëhet më i fortë dhe më efikas. Për këtë qëllim, sipas saj, janë propozuar mekanizma më të fortë mbrojtës për garantimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e reformave.
“Ndërsa procesi i zgjerimit po merr një ritëm më të shpejtë, do të diskutojmë me shtetet anëtare se si të sigurohemi që Bashkimi Evropian të bëhet më i fortë, ndërsa zgjerohet”, deklaroi komisionerja evropiane.
Kos u ndal edhe te kërcënimet hibride me të cilat përballen prej vitesh vendet kandidate, duke vlerësuar se përvoja e tyre mund të ndihmojë në mbrojtjen e demokracisë në të gjithë Evropën.
Ajo bëri të ditur se vendet kandidate do të mirëpriten në Qendrën Evropiane për Rezistencën Demokratike, me synimin për të forcuar bashkëpunimin për mbrojtjen e demokracive evropiane.
Konferenca e sotme në Luksemburg pritet të formalizojë mbylljen provizore të Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
