Prishtinë, 7 gusht Zhurnal.mk – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë vendim që shefi i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, të shpallet person i padëshirueshëm në Republikën e Kosovës.
Sveçla ka deklaruar se askush nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe të veprojë apo të deklarohet kundër rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
“Për këtë arsye, bazuar në deklaratat publike të shefit të Telekomit të Serbisë, Vladimir Lučić, kam marrë vendim që ai të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, me ndalim të përhershëm të hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit në territorin e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Sveçla në Facebook
Në vendim, thuhet se Luçiq, përmes deklaratave publike, ka promovuar dhe mbështetur politika dhe aktivitete që sfidojnë kompetencat sovrane të institucioneve të Kosovës në sektorë me rëndësi strategjike, përfshirë komunikimet elektronike dhe infrastrukturën e telekomunikacionit.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme.
