KQZ u kërkon bashkive përcaktimin e qendrave të votimit për vitin 2027

Nga D. V.
266 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 prill Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Në një letër drejtuar të gjitha bashkive të vendit, mediet raportojnë se, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u kërkon autoriteteve vendore të marrin masat paraprake për përcaktimin e qendrave të votimit që do të përdoren në pranverën e vitit 2027.

Sipas Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit duhet të vendosen në ambiente publike, kryesisht në shkolla, qendra komunitare ose institucione shtetërore.

Në këtë kuadër, KQZ kërkon që ambientet e përzgjedhura të jenë të aksesueshme, të garantojnë neutralitet politik, qetësi dhe siguri gjatë procesit të votimit, si dhe të ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për dhomat e fshehta, vendosjen e kutive të votimit dhe pajisjet teknologjike. Po ashtu, kërkohet që këto ambiente të jenë të përshtatshme edhe për personat me aftësi të kufizuara.

KQZ u ka lënë një afat prej 10 ditësh 61 kryetarëve të bashkive për të përpiluar dhe dorëzuar listën e ambienteve që do të shërbejnë si qendra votimi.

Sipas Kodit Zgjedhor, periudha zgjedhore për zhvillimin e procesit elektoral është e përcaktuar mes datave 15 prill dhe 15 maj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër