Kriza e shoferëve profesionalë, transportuesit e Ballkanit i kërkojnë zgjidhje BE-së

Nga Xh M
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 11 gusht Zhurnal.mk – Transportuesit nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina u ulën sot në të njëjtën tryezë për t’i dërguar një mesazh të qartë Bashkimit Evropian.

I njëjti problem, një shqetësim i përbashkët që po vazhdon prej muajsh e vitesh, shoferët profesionistë po e braktisin punën, ndërsa kompanitë po përballen me mungesë kritike të shoferëve.

Arsyeja është rregulli i Schengen-it, sipas të cilit shoferët nga vendet jashtë BE-së mund të qëndrojnë në këtë zonë vetëm 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh. Transportuesit alarmojnë se kjo periudhë nuk shfrytëzohet për turizëm, por për punë dhe lëvizje të mallrave.

“Ajo që ne propozuam si zgjidhje kalimtare, kur Komisioni Evropian nuk dëshiron të ndryshojë marrëveshjen e krijuar para 41 viteve, është që të bëhet vetëm një përshtatje teknike. Nëse është thënë se qytetarët e vendeve të treta kanë të drejtë të qëndrojnë 90 ditë në 180 ditët e fundit, atëherë t’i përmbahemi atij rregulli, por duke ditur se dita ka 24 orë, pra kërkojmë 90 ditë të plota.” – tha Nego Mandiç nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit e Serbisë.

Nga ky problem preken rreth 100,000 shoferë nga i gjithë rajoni, prej të cilëve 17,000 janë nga Maqedonia e Veriut. Për shkak të bllokimit të lëvizjes, vuan drejtpërdrejt ekonomia e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Nga shoqata “Makam Trans” paralajmërojnë se zgjidhja duhet të gjendet deri në shtator, në mënyrë që të shmangen protestat e mundshme.

“Po mundohemi të gjithë të qëndrojmë në këtë shtet, sepse ekonomia këtu po vuan shumë më tepër se sa mendohet, pasi transportuesi vendas ofron shërbime më të lira dhe më të shpejta. Është e vërtetë se secili shtet duhet t’i zgjidhë problemet në bazë dypalëshe sepse kemi nënshkruar veç e veç marrëveshje për liberalizimin e vizave, por meqë të gjithë kemi të njëjtin problem, duhet të bashkëpunojmë së bashku” – deklaroi Biljana Muratovska, Sekretare e Përgjithshme e “Makam Trans”.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se negociatat po zhvillohen, por theksojnë se për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare nevojitet kohë për të arritur pajtim mes të gjitha palëve.

Ky problem, i cili kulmoi që në janar me bllokimin e terminaleve kufitare në të gjithë rajonin, kërkon tashmë një epilog afatgjatë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër