Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut merr pjesë në ngjarjen e Këshillit Atlantik në Washington

Nga B.M
342 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 prill, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Washington ka marrë pjesë dhe ka mbajtur fjalim në një ngjarje të organizuar nga Këshilli Atlantik, e cila ishte e fokusuar në prioritetet transatlantike të Maqedonisë së Veriut, raporton MIA.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në fjalimin e tij, Mucunski ka theksuar prioritetet kryesore të politikës së jashtme të shtetit, duke vënë në pah përkushtimin ndaj forcimit të partneritetit strategjik me SHBA-në si dhe rolin aktiv të vendit si partner i besueshëm i sigurisë brenda NATO-s dhe rajonit.

Ai gjithashtu është ndalur te përpjekjet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë iniciativat aktuale për thellimin e marrëdhënieve tregtare bilaterale me SHBA-në.

Në kontekstin e integrimit evropian, Mucunski ka riafirmuar përkushtimin strategjik të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përmendur sfidat e lidhura me çështjet bilaterale dhe duke theksuar nevojën për një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm të zgjerimit.

Po ashtu, janë theksuar prioritetet për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësia e partneritetit transatlantik në përballimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë dhe gjeopolitikës.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të iniciativës “Balkans Forward” të Këshillit Atlantik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga sektori politik, akademik dhe analitik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër