Kumbaro: Fakulteti i Studimeve Profesionale në Durrës, urë mes auditorit dhe tregut të punës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë sot në përurimin e  Fakultetit të Studimeve Profesionale, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Duke iu uruar suksese studentëve dhe stafit pedagogjik, Kumbaro tha se “zgjodhëm ta përshëndesim nisjen e këtij viti akademik këtu, në Durrës, sepse ky universitet po tregon në praktikë se çfarë do të thotë një institucion publik që rritet me ritmin e kohës dhe jo thjesht me ritmin e zakonit”.

“Fakulteti i Studimeve Profesionale, që sot gjen shtëpinë e tij të re në këtë supergodinë, një investim i mbështetur nga Qeveria Shqiptare. Studimet profesionale lidhin auditorin me tregun e punës, laboratorin me ndërmarrjen, dhe kur ato ndërtohen mirë, ia kthejnë diplomës peshën e saj. Durrësi ka port, industri, turizëm e logjistikë, prandaj ka të gjitha arsyet të jetë vendi ku ky lloj arsimimi funksionon më mirë se kudo”, tha Kumbaro.

Duke vlerësuar arritjet e Universitetit të Durrësit, Kumbaro bëri me dije se, falë investimeve dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies në auditorët e universitetit, këtë vit janë regjistruar mbi 1900 studentë të rinj.

“Në 20 vitet e tij, dhe ishim këtu para pak muajsh për ta kremtuar atë çast jubilar, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, me grintën e një institucioni më të ri në garë me të tjerët, ka arritur shumëçka për sa i përket ndërkombëtarizimit. Revista juaj Shkencore është rankuar në Scopus, një bazë të dhënash që nuk lë vend për subjektivitet, sepse të gjitha revistat e saj kalojnë nëpër kritere të rrepta cilësie. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë te punimet shkencore që botohen këtu, pasi pedagogu, kërkuesi shkencor e di se shkruan për një revistë të indeksuar dhe ngre nivelin e punës së tij, e në këtë formë kështu cilësia nuk kërkohet nga jashtë, por ndërtohet brenda nesh! Falë këtij vizioni dhe kësaj pune, universiteti pret këtë vit akademik mbi 1900 studentë të rinj, një shifër që flet për besimin e të rinjve dhe të familjeve të tyre te ky institucion”, theksoi Kumbaro.

Duke folur për renditjen ndërkombëtare të universiteteve shqiptare, Kumbaro bëri me dije se Universiteti i Tiranës, për herë të parë këtë vit, është renditur në Times Higher Education, një nga organizatat më prestigjioze në botë në vlerësimin e arsimit të lartë.

“Kam një lajm që ia vlen ta ndajmë sot. Universiteti i Tiranës, për herë të parë, këtë vit është rankuar në Times Higher Education, një nga organizatat më prestigjioze në botë në vlerësimin e arsimit të lartë. Është i pari institucion shqiptar, që rankohet ndërkombëtarisht, dhe nga Durrësi le të urojmë edhe kolegët në Tiranë. Ndërkohë, edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” mban statusin e “reporterit” në Times Higher Education, siç e mbajnë edhe katër universitete të tjera jopublike, me synimin për t’u rankuar së shpejti”, bëri me dije ministrja.

Kumbaro tha se në universitete po shtohen gjithashtu programet e përbashkëta dhe ato me diplomë të dyfishtë me universitete në Itali, Portugali, Gjermani dhe Spanjë, ndërsa 26 programe të reja i shtohen korpusit të programeve që ofrohen në gjuhën angleze.

Në fokus është edhe forcimi i kërkimit shkencor dhe mbështetja e studimeve doktorale.

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin kanë hapur thirrjen për mbështetjen e studentëve të ciklit të doktoraturës, me një buxhet të dedikuar prej mbi 600 mijë eurosh dhe me dyfishim të mbështetjes për çdo student, krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë, së shpejti do të hapet edhe thirrja për projekte në infrastrukturën kërkimore, me një buxhet të dedikuar për investime në laboratorë dhe në forcimin e kapaciteteve kërkimore të universiteteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër