Kurthe politike në rrugën mes Shkupit dhe Tiranës

Nga D V
1,627 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 korrik, Zhurnal.mk – Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve nuk duhet të reduktohen në interesa të individëve apo grupeve partiake, apeluan nga VLEN pas incidentit të djeshëm në pikën kufitare me Shqipërinë, shkruan DW, transmeton Zhurnal.

Reagimet nuk po qetësohen pas rastit me tre funksionarët e VLEN-it me pasaporta diplomatike Bekim Çoku, Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani të cilët dje vendosën të mos hyjnë në Republikën e Shqipërisë, pasi në kufi ishin mbajtur një orë, ndërsa shoqëruesit e tyre (pa pasaportë diplomatike) nuk iu lejua hyrja në vendin fqinj. Pas mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së partisë, VLEN vlerësoi se shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe rajon u nevojitet më shumë unitet, besim dhe përgjegjësi e përbashkët. Sipas koalicionit, çdo përpjekje për “spiunazh, dezinformim, insinuata politike apo dëmtim të marrëdhënieve ndërshqiptare” është e dëmshme dhe kundër interesave të shqiptarëve.

“BDI, në mungesë të rezultateve dhe vizionit, sërish përpiqet përmes konstrukteve të orkestruara të krijojë mosbesim, insinuata, konfuzion dhe një pasqyrë të shtrembëruar. Kjo nuk është patriotizëm. Kjo është nervozë politike e shndërruar në dëm për interesin e përbashkët të shqiptarëve.”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Partia thekson se e respekton Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si institucion dhe çdo komunikim institucional mes dy shteteve, duke nënvizuar se institucionet janë më të mëdha se politika ditore dhe se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve nuk duhet të reduktohen në interesa të individëve apo grupeve partiake.

VLEN shton se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin institucional me Shqipërinë në interes të shqiptarëve, qytetarëve dhe stabilitetit rajonal, duke theksuar se nuk do të lejojë që interesat politike të individëve të vendosen mbi interesat e shqiptarëve.

“Shqiptarëve u duhet unitet, jo intriga. U duhet bashkëpunim, jo kurthe politike. U duhet e ardhmja, jo politika e vjetër e frikës, përçarjes dhe spiunazhit.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

 

Spekulime për arsyet
Funksionari i BDI-së, nënkryetari i partisë Arjanit Hoxha, në një postim në Facebook, e lidhi rastin me “karma” për mungesën e legjitimitetit.

“Mandati i deputetit të VLEN-it në Njësinë Zgjedhore 6, i fituar si rezultat i bashkimit të votave në KSHZ nga partitë maqedonase VMRO‑DPMNE dhe SDSM, ishte dëshmia më e qartë për cenimin e legjitimitetit të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvend. Kur përfaqësimi legjitim i shqiptarëve vihet në pikëpyetje, ndërsa mandatin e mban dikush që sot shpallet ‘non grata’ nga shteti amë Shqipëria atëherë mbetet vetëm një përfundim: kushdo që vepron kundër interesave të kombit të vet, herët a vonë përballet me pasojat. Karma.”, shkroi Hoxha.

Sipas portaleve shqiptare vendore, gazetari dhe analisti nga Kosova, Berat Buzhala, reagoi ashpër ndaj lajmit se tre funksionarë të VLEN-it ishin mbajtur rreth një orë në kufi. Ai akuzoi Bekim Çokun se është “bashkëpunëtor i BIA-s serbe dhe i Aleksandar Vuçiçit”, ndërsa Ivan Stoilkovskin e quajti “pikën kryesore të BIA-s për destabilizimin e Maqedonisë së Veriut”, duke shtuar se Çoku dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e problematizojnë këtë, por protestojnë kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama.

 

Rama akuzon për ‘karavane politike’
Sipas mediave, ekziston dyshim se ndalimi i njërit prej personave lidhet me përfshirjen e supozuar në protestat në Tiranë, të njohura si “Revolucioni Flamingo”, kundër ndërtimit të kompleksit luksoz turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trumpit. Çfarëdo lidhjeje mes ndalimit të djeshëm dhe protestave nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare. VLEN kërkon përgjigje se kush e ka marrë vendimin, mbi cilën bazë ligjore dhe për cilat arsye konkrete.

Më shumë se dy javë më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama kritikoi organizatorët e protestave në Tiranë, të cilët sipas tij kishin sjellë protestues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ai i quajti pjesëmarrësit “viktima të karavaneve politike”.

 

Rama shkroi:

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj; ata, së bashku me maqedonasit, janë popull shtetformues në vendin e tyre, në vendin fqinj!”, duke shtuar se e njëjta vlen edhe për shqiptarët e Kosovës që kanë shtetin e tyre të pavarur.

Ata që vijnë nga të dy vendet në protestat e Tiranës si “diasporë”, Rama i përshkroi si “ushtarë të verbër” që nuk shtrojnë pyetjen e thjeshtë: a është dikush që i do shqiptarët i shqetësuar apo i lumtur kur sheh atë “diasporë” nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova duke u nisur drejt Tiranës si një “ordë invazive me kuaj me katër rrota”, për të rrëzuar qeverinë shqiptare?

 

Dallime sipas nevojës
Një dallim i tillë mes “diasporës shqiptare” dhe “shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që nuk janë diasporë e Shqipërisë, por popull shtetformues në vendin e tyre”, nuk ishte i dukshëm në fillim të vitit 2017. Atëherë Edi Rama në Tiranë ishte nikoqir i një takimi të liderëve të partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut, që rezultoi me një agjendë të përbashkët politike për realizimin e objektivave konkrete në mandatin e ardhshëm qeverisës. Ky dokument, të cilin qeveria e Nikolla Gruevskit e quajti “Platforma e Tiranës”, shkaktoi reagime të ashpra politike në Maqedoni.

Sipas Ramës dhe nënshkruesve, qëllimi ishte harmonizimi i kërkesave të bllokut politik shqiptar për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa në opinionin maqedonas u perceptua si ndërhyrje e Tiranës në punët e brendshme të vendit. Më vonë Rama deklaroi se Tirana nuk kishte asnjë lidhje me atë “platformë”.

“Nuk ka asnjë platformë nga Tirana, por platformë të partive shqiptare, të cilave ne u ndihmuam. Ne patëm takime të ndara me liderët e partive shqiptare dhe morëm shënime për gjithçka që thanë. Ata u bashkuan në një letër të vetme.”, deklaroi Rama për një televizion shqiptar.

Forma të ndërhyrjes në punët e brendshme të Maqedonisë u panë edhe gjatë protestave të fundit për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër