Kurti për deklaratën e Simiqit: Mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se me zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit ka nisur procesi i konstituimit të legjislaturës së 11-të.

Kurti tha se për përmbylljen me sukses të këtij procesi nevojitet dakordim mes subjekteve politike për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

“Së pari u zgjodh Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit e legjislaturës së 11-të. Me këtë rast filloi konstituimi i Kuvendit. Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet t’i zgjedhim edhe nënkryetarët, për këtë nevojitet dakordim”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se është në kontakt me liderët e partive politike, duke theksuar se i ka shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për një takim, ndërsa ka komunikuar edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Unë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve, meqenëse nevojitet edhe mbështetja e mazhorancës”, u shpreh ai.

Kurti tha se duhet të ketë qasje pozitive dhe konstruktive në mënyrë që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe të hapet rruga për formimin e Qeverisë.

“Le të jemi pozitivë dhe konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit që duhet të bëhet, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, tha Kurti.

Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe gjatë seancës, Kurti tha se ajo ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin që deputeti kishte bërë.

“Siç e tha kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ishte në shpërputhje me betimin që ai vetë e ka bërë”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, ishte e çuditshme që përfaqësuesi i Listës Serbe nuk e lexoi saktësisht propozimin e dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin.

“Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Propozimin që ka bërë e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë që e deklaroi ishte në shpërputhje flagrante”, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe një koment të bërë nga një deputet gjatë seancës, duke e lidhur deklaratën me zhvillimet në Serbi dhe figurën e Ratko Mlladiqit.

“Dikush nga Grupi parlamentar tha se kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit, të komandantit dhe gjeneralit që masakroi boshnjakët në Srebrenicë, që u nderua nga shteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe”, tha ai.

Kurti theksoi se në Kuvend mund të votohet vetëm propozimi i dorëzuar zyrtarisht me shkrim dhe që është në përputhje me Kushtetutën.

“Si do që të jetë, nuk mund të votohet në Kuvendin e Republikës ai lloj propozimi që u deklarua. Vetëm ai propozimi që u dërgua me shkrim është në përputhje me Kushtetutën”, tha Kurti.

Ai përsëriti se prioritet mbetet arritja e një dakordimi për nënkryetarët e Kuvendit, duke shprehur shpresën se kjo do të arrihet sa më shpejt me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër