Prishtinë, 18 maj, Zhurnal.mk – Albin Kurti, gjatë një interviste në emisionin “Interaktiv”, ka folur për projektin rrugor Tetovë–Prizren, duke theksuar rëndësinë strategjike të tij për lidhjen infrastrukturore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti deklaroi se projekti ka qenë pjesë edhe e planeve të qeverive të mëparshme, por sipas tij, tashmë kanë nisur lëvizjet konkrete për realizimin e tij.
“Kanë filluar punimet, nga ana jonë është bërë shumë, nga ana e Maqedonisë është bërë më pak”, tha Kurti, duke shtuar se ka zhvilluar bisedime edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut lidhur me projektet infrastrukturore ndërmjet dy vendeve, përcjell Zhurnal.mk.
Sipas tij, ekziston vullnet politik për përfundimin e rrugës Tetovë–Prizren, por edhe të segmentit Bllacë–Shkup, i cili konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme lidhëse në rajon.
Kurti bëri të ditur se autoritetet në Shkup tashmë kanë nënshkruar projektin dhe kanë përzgjedhur operatorin ekonomik për realizimin e punimeve, duke rikujtuar se edhe projekte të tjera infrastrukturore në të kaluarën janë përballur me zvarritje të ngjashme, siç ishte Rruga e Arbërit.
Kurti tha se dy bashkëkryetarët e VLEN-it Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, e kanë siguruar për nënshkrimin e projektit dhe operatorin ekonomik për rrugën Tetovë – Prizren dhe se punojnë shumë më intensivisht se Qeveria e kaluar.
“Tashmë e kanë nënshkruar projektin dhe operatorin ekonomik. Për këtë gjë më kanë siguruar edhe dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, të cilët janë duke punuar shumë më intensivisht, për dallim prej qeverisë së kaluar”, deklaroi Kurti.
Duke komentuar zhvillimet politike në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Kurti përmendi edhe bashkimin e subjekteve politike brenda VLEN-it, të cilin e cilësoi si një zhvillim të rëndësishëm politik.
“Pesë subjekte u bënë bashkë para një jave. Është zhvillim i jashtëzakonshëm, jo vetëm në hapësirën shqiptare”, tha ai.
