Kurti takon Kallas: Linjëzimi me BE-në, thelbësor për integrimin evropian të Kosovës

Nga Xh M
471 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 4 maj Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), zhvilloi takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Gjatë takimit, bëhet me dije se u diskutua situata politike në rajon si dhe çështjet e sigurisë, në një kontekst gjithnjë e më të ndërlidhur të sfidave ndërkombëtare.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre sfidave dhe në avancimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, Kryeministri në detyrë Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke nënvizuar progresin e vendit tonë dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë.

Po ashtu, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili u vlerësua si një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara.

Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku Kryeministri në detyrë Kurti ngriti shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe shërbeu për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve mbi temat me interes të përbashkët, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të afërt dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër