Kush është Arlinda Kadri Shahinoviq, e propozuar nga Siljanovska Davkova për anëtare të Këshillit Gjyqësor

Nga admin
2,190 e lexuar
A+A-
Rivendos

Shkup, 11 janar – Profesoresha Arlinda Kadri Shahinoviq, e cila aktualisht ligjëron në Universitetin MIT në Shkup, dhe avokatja Suzana Joshevska Anastasovska janë dy propozimet e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, për anëtare të reja të Këshillit Gjyqësor.

Kush është Kadri Shahinoviq

Arlinda Kadri Shahinoviq është doktore e shkencave juridike dhe ligjëruese universitare me përvojë të gjatë akademike dhe shkencore.

Në vitin 2007 ka diplomuar në drejtësi, në drejtimin e së Drejtës Evropiane dhe së Drejtës së Bashkimit Evropian (BE).

Në vitin 2009 ka fituar titullin magjistre e shkencave juridike, në drejtimin e së Drejtës Evropiane dhe së Drejtës së BE-së, në Universitetin e Parë Privat – FON, me temë magjistrature “Pengesa martesore”.

Në vitin 2016 ka doktoruar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, me disertacion doktorature me temë “Pengesa martesore në të drejtën romake dhe të drejtën bashkëkohore familjare”, duke fituar titullin doktoreshë e shkencave juridike.

Përvoja profesionale

Angazhimin e saj akademik e ka nisur në vitin 2007 si asistente e re në Fakultetin Juridik të Universitetit FON në Shkup.

Që nga viti 2010 ka qenë e angazhuar si asistente-magjistre në fushën e shkencave juridike në Fakultetin e Shkencave Juridike pranë Universitetit FON.

Në vitin 2017 është zgjedhur ligjëruese me titullin docente në fushën e disiplinave juridike, ndërsa në vitin 2023 është zgjedhur profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Shkencave Juridike, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Universitetin MIT në Shkup.

Ajo ligjëron në studime universitare dhe pasuniversitare, kryesisht në fushat e së drejtës civile dhe familjare, dhe është autore dhe bashkautore e shumë punimeve shkencore dhe profesionale të botuara në revista dhe botime shkencore vendore dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu, ka qenë anëtare e Komisionit për Falje pranë Presidencës së Maqedonisë së Veriut.

Angazhimi qytetar

Përveç punës akademike, Arlinda Kadri Shahinoviq është e angazhuar aktivisht në organizata dhe shoqata qytetare, si dhe në institucione të tjera që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, të drejtave të njeriut dhe përgjegjësisë shoqërore.

Ajo është anëtare e Kuvendit të Përgjithshëm të SOS Fshatit të Fëmijëve, e angazhuar si eksperte juridike në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), si dhe kryetare e Komisionit të Ankesave pranë FFM-së, funksion të cilin e ushtron në mandatin e dytë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër