Tiranë, 30 prill, Zhurnal.mk – Në shkollën 9-vjeçare “Sotir Gurra”, një nga shkollat më të vjetra të Korçës, janë drejt përfundimit punimet për rikonstruksionin e saj.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “në shtator 640 nxënës dhe 47 mësues
do të nisin vitin e ri shkollor në kushte moderne dhe standarde të bashkëkohore falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Korçë”.
Rikonstruksioni përfshin të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës, duke përmirësuar klasat, laboratorët, hapësirat për mësuesit dhe palestrën moderne për aktivitetet sportive.
Aktualisht, në të gjithë vendin janë 42 kantiere ndërtimi të hapura në shkolla, ku po punohet së bashku me bashkitë për rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve të reja arsimore.
