Kuvendi në pushim, ligjet e rëndësishme mbeten të bllokuara

Nga Xh M
793 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 gusht Zhurnal.mk – Me 120 seanca plenare të mbajtura që nga fillimi i mandatit e mijëra komisione, Kuvendi dhe deputetët do të shfrytëzojnë tre javë pushim vjetor dhe nuk do të punojnë. Pa miratuar lënë disa ligje, mes tyre edhe ligje të rëndësishme. Shumica parlamentare që nga fillimi, edhe më tej e ka problem sigurimin e badenterit për zgjidhje të rëndësishme ligjore. Aty ku nuk duhet badenter, opozita e shfrytëzon rastin e bllokimit të ligjeve duke propozuar mijëra amendamente. Koordinatori i VMRO-DPMNE-së për momentin nuk ka një plan konkret si të tejkalohen pengesat me opozitën. Thonë se do të ulen përsëri të diskutojnë pas pushimeve.

“Për zgjidhje të caktuara ligjore nuk kemi marrëveshje. Disa janë të bllokuara, e disa të tjera nuk janë hapur. Megjithatë pres që pas përfundimit të pushimeve verore do të ulemi do të bisedojmë për çështje të caktuara. Disa prej tyre ndoshta do t’i tejkalojmë, disa ndoshta nuk do të hapen. Në fund të ditës gjithçka është politikë, varet nga partitë politike. Gjithsesi biseda është ajo e cila lëvizë gjërat, të ulemi të diskutojmë për atë që është hapur. Për diçka do të gjendet gjuhë e përbashkët, e diku është politikë që të mos gjendet gjuhë e përbashkët dhe instrument i disa subjekteve politike që të kthehen në lojë por kjo është e drejtë e tyre”, deklaroi Nikolla Micevski – Koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Por opozita shqiptare nuk dëshiron të dëgjojë. Deputeti i Frontit Evropian Skender Rexhepi, për Alsat tha se do ta shfrytëzojnë maksimalisht mekanizmin e badenterit, siç thotë, për të mbrojtur shqiptarët nga majorizimi.
Skender Rexhepi – Fronti Evropian

“Derisa amendamentet tona nuk kalojnë, këto ligje do të mbeten kështu të pa kaluara, vetëm nëse mundohen t’i kontrabandojnë jashtë Kuvendit diku se përndryshe në Kuvend nuk do të arrijnë të kalojnë këto ligje….Nëse në Kuvend ka mbi 70-80 deputetë dhe kryetari i Kuvendit thotë shtyhet votimi për një ditë kur të kemi kushte, pyetja është çfarë kushte duhet të ketë Kuvendi në çdo shtet demokratik? 70-80 janë më se të mjaftueshëm sepse mbi 60 është numri i kuorumit me të cilën mund të kalojë çdo ligj por kushtet e volitshme është të kontrabandohet, të zihet në huti opozita shqiptare kur të jetë jashtë, që ai shpejt e shpejt t’i kalojë këto propozim ligje por nuk do e arrijë këtë qëllim”, tha Skender Rexhepi – Fronti Evropian.

Për shkak mungesës së badenterit, në Kuvend ka mbetur i bllokuar ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Nevojitet shumicë e deputetëve jo maqedonas që do të jenë prezent në sallë, por edhe këtë shumica nuk e ka. Kodi Zgjedhor ka mbetur i bllokuar me amendamente. U mbajtën disa takime por pa zgjidhje. Ligji për deputetë i cili parasheh që deputetë të kenë vetëm një shtetësi, gjithashtu është bllokuar me amendamente. Ligji për arsim të lartë nuk arriti të kalojë. Pa u miratuar ka mbetur edhe ligji anti-duhan. I bllokuar me muaj të tërë ka mbetur edhe Ligji për Vetqeverisje Lokale. Opozita nuk pranon që diaspora të mos llogaritet në përcaktimin e numrit të këshilltarëve komunal.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër