Kuvendi në seancë plenare, diskutohet raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian

Nga D V
886 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 korrik Zhurnal.mk – Kuvendi zhvillon sot, në orën 12:00, seancën plenare ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë çështjesh që lidhen me procesin e integrimit europian, legjislacionin ekonomik, si edhe veprimtarinë vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë.

Sipas rendit të ditës të miratuar me urdhrin e  kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 16 korrikut dhe njoftimet.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është paraqitja e Raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, i cili do të prezantohet nga bashkëkryetarët e këtij këshilli, në zbatim të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ekonomik.

Në vijim të seancës, Kuvendi pritet të diskutojë dhe të votojë tetë projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe organeve të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.

Konkretisht, do të shqyrtohen raportet dhe projektrezolutat për Avokatin e Popullit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Për secilën prej këtyre çështjeve parashikohet prezantimi i raporteve nga drejtuesit e institucioneve përkatëse, paraqitja e projektrezolutave nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, si edhe zhvillimi i debateve parlamentare, në rast se ato kërkohen sipas Rregullores së Kuvendit.

Seanca plenare do të përmbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër