Lamallari: Policia ndërhyri vetëm pas dhunës, autorët do përballen me ligjin

Nga D. V.
821 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 03 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ku inauguruan ambientet e rikonstruktuara të institucionit.

Investimi i ri u ofron kushte moderne pune 332 punonjësve të Policisë së Shtetit dhe përmirëson ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve, duke shënuar përmbylljen e investimeve në të gjitha drejtoritë vendore të policisë në shkallë vendi.

Pas vizitës, ministri Lamallari iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me ngjarjet e protestës së një dite më parë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, gazetarëve dhe institucioneve publike është e papranueshme dhe do të trajtohet sipas ligjit.

Ai nënvizoi se faktet e dokumentuara tregojnë se efektivët e policisë u sulmuan me gurë dhe sende të forta, duke mbetur të plagosur disa prej tyre, ndërsa u regjistruan edhe akte dhune ndaj përfaqësuesve të medias dhe dëmtime të pronës publike. Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe ushtrimin e lirë të detyrës nga gazetarët.

“Unë i kam parë dhe video është e hedhur dhe në rrjetet e mia sociale, mund ta verifikoni këtë. E sigurisht duke i uruar shërim të shpejtë kolegëve, jo vetëm atyre që unë vizitova, por edhe kolegëve të tij, të cilët kanë dhe familjarë, të cilët ishin të shqetësuar. Nga ana tjetër një fakt tjetër, ishin dhe kolegët tuaj gazetarë, të cilët ndonëse u pretendua se ishin dhunuar nga Policia, faktet janë komplet ndryshe. Kishim më herët një thirrje të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilët i bënin thirrje Policisë së Shtetit për të garantuar gazetarët, në kryerjen e detyrës së tyre dhe pamjet më vonë, që u administruan dhe nga ana jonë, ishin pamje ku gazetarë, kolegët tuaj në fakt u konfrontuan me protestues, të cilët donin të merrnin mikrofonat prej tyre dhe për më tepër kishte dhe shtyrje të tyre”, tha Lamallari.

Ministri Lamallari cilësoi se duhet të ketë dallim mes protestës dhe dhunës që ushtrohet nga një grup personash.

“Policia e Shtetit është një organ ligjzbatues dhe në neutralizimin e situatave dhe eskalimin e tyre, sigurisht duhet të ushtrojë atributet që jep ligji, për të mos lejuar përshkallëzim të tyre. Kështu që, pa dyshim kurdoherë që janë konstatuar dhe janë dokumentuar dhe me video, me pamje të hedhura tashmë dhe në rrjetet sociale dhe në mediat kombëtare, ku protestues të quajtur paqësorë, të pretenduar të tillë dhe nga deputetë të opozitës, në fakt, ishte shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t’u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë”, vijoi ai.

“Nuk po flas për mjetet e Policisë, të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga protestues, të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën. Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë”, përfundoi Lamallari.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër