Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Levica, përmes një komunikate, akuzoi se arratisja e Aleksandar Lazarovit – “Cunata”, për të cilin Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur flet‑arrest ndërkombëtar, përbën edhe një dëshmi tjetër për mosfunksionimin e institucioneve dhe kërkoi përgjegjësi politike.
Sipas partisë, bëhet fjalë për person që, bazuar në dëshmitë e paraqitura në procesin gjyqësor për tragjedinë në diskotekën “Puls”, është identifikuar si figurë e njohur kriminale që shiste drogë në klub.
Levica thekson se procedura gjyqësore ka treguar se “Puls” ka funksionuar për vite nën mbrojtje institucionale, me ç’rast pronari dhe i biri, sipas dëshmive, paraprakisht kanë marrë informacione për kontrollet policore dhe inspektuese. Ekzistojnë dyshime edhe për përfshirje të zyrtarëve policorë dhe funksionarëve të tjerë.
“Pas këtyre të dhënave, arratisja e ‘Cunatës’ nuk mund të trajtohet si një lëshim i zakonshëm”, thuhet në komunikatën e Levicës.
Partia kujton se ka dorëzuar interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke evidentuar mangësi sistemike, veprim selektiv dhe mungesë të përgjegjësisë politike, ndërsa akuzon VMRO‑DPMNE‑në se ka dalë në mbrojtje të tij.
“Nëse një person, emri i të cilit përmendet në procesin gjyqësor për ‘Puls’ si narkodiler i njohur, mund të arratiset nga stacioni policor, atëherë ka vetëm dy shpjegime të mundshme – ose MPB është plotësisht jofunksionale, ose rrjeti kriminal që e ka mbrojtur ‘Pulsin’ për vite me radhë ende ka njerëzit e vet në sistem”, thekson Levica.
Sipas partisë, në vend të çmontimit të rrjetit kriminal, arratisja e “Cunatës” tregon se institucionet nuk mund ose nuk duan të përballen me kriminalitetin.
