Liga e Kampionëve nën hijen e racizmit, pas Viniciusit edhe Lloyd Kelly raporton abuzim racist

Nga B.M
654 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Mbrojtësi i Juventusit, Lloyd Kelly, ka reaguar ashpër ndaj një mesazhi racist të marrë në rrjetet sociale pas humbjes 5-2 të skuadrës së tij ndaj Galatasarayt në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar të martën mbrëma.

Përmes një postimi në “Instagram Story” të mërkurën në mëngjes, ish-mbrojtësi i Newcastle dhe Bournemouth publikoi një “screenshot” të një komenti fyes të lënë në një nga postimet e tij, ku shkruhej: “Kthehu në kopshtin zoologjik”.

“Kritikat janë pjesë e jetës dhe e sportit, dhe i kam pranuar gjithmonë. Çdokush ka të drejtë për mendimin e vet, por këtë nuk do ta pranoj. Fjalët dhe veprimet kanë kuptim dhe gjithashtu pasoja”.

Futbollisti jo vetëm që e bëri publik komentin, por gjithashtu etiketoi personin që e kishte shkruar atë, si dhe kompaninë ku ai dyshohet se punon, duke dërguar një mesazh të qartë kundër racizmit dhe abuzimit online.

Mbrëmja e së martës u shoqërua me akuza të tjera për sjellje raciste.

Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, ka akuzuar mesfushorin e Benfica, Gianluca Prestianni, për një koment me përmbajtje raciste gjatë përballjes së parë në Lisbonë.

Rasti i Kellyt rikthen në vëmendje problemin e vazhdueshëm të racizmit në futboll, veçanërisht në hapësirën online, ku lojtarët shpesh bëhen objekt i sulmeve pas rezultateve negative.

Deklarata e mbrojtësit të Juventusit përforcon qëndrimin se kritika sportive është e pranueshme, por gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi nuk duhet të tolerohen në asnjë rrethanë. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër