Tiranë, 7 maj, Zhurnal.mk – Livadhet e Ketit në Mat, pjesë e bashkisë Klos, janë një oaz mbresëlënës mes natyrës, bimësisë dhe aromës së luleve.
Ky vend, vetëm 25 kilometra larg Tiranës, është një ftesë për të zbuluar magjinë e natyrës, mes bukurisë së maleve dhe luleve që mbushin livadhin e Ketit këtë sezon të vitit.
Lulja e zambakut, karakteristikë e livadheve të këtij fshati krijon pamje të jashtëzakonshme ndërsa qindra zambakë të bardhë lëkunden në kërcejt e tyre të gjatë duke krijuar valëzim marramendës aromash.
Në dy apo tre javët e lulëzimit, qytetarë të zonës, por edhe turistë zgjedhin të kalojnë kohë mes lojërave me top në natyrë, kalërimit etj.
Kryeministri Edi Rama, ndau pamje të livadhit të Ketit në Mat, ku lulja e zambakut, kuajt, qytetarë që argëtohen së bashku krijojnë një panoramë fantastike.
Udhëtimi për të arritur në këtë parajsë të vogël fillon me një rrugëtim prej 25 kilometrash nga Tirana. Pas kësaj, një orë ngjitje në këmbë sjell një përvojë të jashtëzakonshme, ku harmonia me natyrën japin ndjenjën e një lidhjeje të veçantë me mjedisin.
