Liverpooli nënshkruan marrëveshje me supertalentin kolumbian

Nga D. V.
253 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Liverpooli ka siguruar transferimin e mesfushorit ofensiv kolumbian, Samuel Martinez, nga Atletico Nacional, me gazetarin e njohur të Sky Sport Germany, Florian Plettenberg, që ka konfirmuar se marrëveshja tashmë është përfunduar, duke e bërë 17-vjeçarin afrimin e parë të “The Reds” për këtë verë.

Hapi i radhës për talentin kolumbian është pajisja me vizë pune para se të udhëtojë drejt Anglisë për testet mjekësore, ku më pas do të firmosë një kontratë pesëvjeçare me klubin nga “Anfield”.

Shuma e transferimit raportohet të jetë rreth 1 milion dollarë, ndërsa Atletico Nacional ka negociuar edhe një përqindje nga shitja e ardhshme për të mbrojtur interesat e klubit.

Liverpooli arriti të mposhtë konkurrencën e Borussia Dortmundit dhe Barcelonës për firmën e tij.

Megjithatë, për shkak të rregullave të FIFA-s që ndalojnë transferimet ndërkombëtare të lojtarëve nën moshën 18-vjeçare, Martinez do të vazhdojë të luajë te Atletico Nacional deri në vitin 2027, kur edhe do të mbushë 18 vjeç.

Plani i Liverpoolit është që ai të bashkohet me fazën përgatitore të ekipit të parë në verën e atij viti, ndërsa sezoni i tij i parë pritet të ndahet mes skuadrës U21 dhe ekipit U19 në UEFA Youth League.

Martinez shkëlqeu me Kolumbinë në Kampionatin e Amerikës së Jugut për U17, ku ishte titullar në pesë nga gjashtë ndeshjet e ekipit dhe kontribuoi me tre asistime, përfshirë edhe në gjysmëfinale dhe finale, duke ndihmuar Kolumbinë të fitojë trofeun.

E përditshmja spanjolle Marca e ka përshkruar atë si “një mesfushor modern me aftësi box-to-box, i cili mbulon të dy fazat e lojës, duke kombinuar teknikën e rafinuar të futbollit amerikanolatin me intensitetin fizik që kërkon futbolli modern”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër