“Lotaria”: Prokuroria me 231 prova dhe 7 dëshmitarë kundër Grubit dhe 7 personave të tjerë

Nga I.A
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 gusht, Zhurnal.mk – Me shoqërim policor, ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga paraburgimi u soll sot në Gjykatën Penale të Shkupit për seancën e parë gjyqësore lidhur me lëndën për shpërdorim e 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore.

Grubi i shoqëruar nga dy avokatët, Goce Ristevski dhe Vlladimir Donevski u ul në bankën e të akuzuarit, ndërsa për veprën që i ngarkohet, Kodi Penal parashikon prej 1 deri në 5 vjet burg, transmeton Alsat.

Krahas tij, sot në seancë janë paraqitur edhe 6 të akuzuar të tjerë. Në afërsi të tij, është ulur Metodija Dimovski, ish sekretar i Qeverisë, por edhe të akuzuarit Skender Memeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Bashkim Avdi dhe Aleksandar Dimitrieski. Mungoi vetëm ish drejtori i Lotarisë Përparim Bajrami, i cili është i akuzuar i parë në këtë lëndë, por që mbetet në arrati prej dhjetorit të vitit 2024.

Megjithatë seancë e sotme zgjati shkurt, meqë organi i akuzës nuk ua ka dorëzuar palëve provat. Për këtë, prokurorët e lëndës Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski kishin përgatitur tetë pako me prova, të cilat i morën avokatët e të akuzuarve. Siç shpjeguan prokurorët, ata posedojnë listë me 231 prova materiale, të cilat thanë se do t’i prezantojnë brenda një seance gjyqësore, ndërsa ato verbale, respektivisht dëshmitë e 7 dëshmitarëve për 2 deri në 3 seanca, ndonëse kjo nuk mund të përcaktohet pasi do të varet edhe nga numri i pyetjeve të kryqëzuara nga ana e avokatëve të mbrojtjes.

Meqenëse mbrojtja nuk ka pasur mundësi të përgatitet për shkak se nuk i ka pasur provat, gjykatësja e lëndës Biljana Shuplinovska – Jovevski u dha dy javë kohë, respektivisht caktoi seancën e radhës për më 7 shtator. Deri atëherë, avokatët duhet t’i studiojnë provat e Prokurorisë, të përgatisin mbrojtjen dhe të dorëzojnë listë të tyre me prova.

Njëkohësisht, gjyqtarja në pajtim me palët caktoi dinamikën e gjykimit për periudhën e ardhshme, e cila sipas terminëve do të jetë mjaftë e ngjeshur. Gjatë muajit shtator, do të mbahen 6 seanca gjyqësore, ndërsa 7 të tjera janë caktuar në tetor.

Sipas Prokurorisë, Artan Grubi dhe 7 persona të tjerë akuzohen se kanë “Keqpërdorur detyrën zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit, për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Prokuroria e zhvilloi hetimin për veprën penale “Mashtrim në shërbim” për të cilën parashihet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet burg, megjithatë propozim akuzën e dorëzoi për vepër tjetër penale që parashikon dënim më të butë, respektivisht prej 1 deri në 5 vjet burg.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër