Shkup, 3 maj, Zhurnal.mk – Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar pushtetin aktual për rritje të vazhdueshme të borxhit publik, duke paralajmëruar pasoja afatgjata për ekonominë dhe gjeneratat e ardhshme.
Në një deklaratë për media, zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, tha se vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë marrë rreth 700 milionë euro borxh i ri.
Sipas saj, që nga ardhja në pushtet e qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski, borxhi publik është rritur për 2.3 miliardë euro, duke arritur në rreth 10.7 miliardë euro, që sipas LSDM-së përbën nivelin më të lartë historik.
“Bëhet fjalë për huamarrje neto, e krijuar drejtpërdrejt nga ky pushtet. Në kurriz të qytetarëve dhe të gjeneratave të ardhshme po rritet borxhi, ndërkohë që nuk ka masa për përmirësimin e standardit jetësor”, deklaroi Kuzeska.
Ajo shtoi se, sipas LSDM-së, qeveria nuk ka ndërmarrë hapa për rritjen e pagave, përfshirë edhe pagën minimale, si dhe nuk ka ofruar masa konkrete për përballimin e rritjes së çmimeve.
LSDM thekson se qytetarët po përballen të vetëm me sfidat ekonomike dhe kërkojnë nga institucionet që të ndërmarrin politika më efektive për stabilizimin financiar dhe mbrojtjen e standardit jetësor.
