LSDM: ZNAM ka hyrë në koalicion me VMRO-DPMNE për shkak të interesave personale dhe biznesore

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Me një seri akuzash në adresë të Maksim Dimitrievskit dhe partisë ZNAM, LSDM sot përmes një komunikate vlerësoi se projekti politik i kryetarit aktual të Komunës së Kumanovës po përjeton shpërbërje, ndërsa mbështetësit e tij po e braktisin gjithnjë e më shumë partinë.

Nga LSDM pretendojnë se ZNAM ka hyrë në koalicion me VMRO-DPMNE për shkak të interesave personale dhe biznesore, e jo për parime politike apo përcaktime programore.

“Të gjithë e dinë pse ZNAM hyri në koalicionin e tenderëve me grupin e organizuar kriminal VMRO. Këtë e dinë edhe qytetarët. Për shkak të interesave personale dhe biznesore”, thuhet në komunikatë.

Në deklaratë akuzohet Dimitrievski se fillimisht e tradhtoi partinë e vet, e më pas edhe votuesit që i dhanë mbështetje.

Sipas LSDM, ZNAM po përballet me probleme të brendshme dhe largim të anëtarëve, deputetëve dhe këshilltarëve, për shkak të të cilave, siç thonë, Dimitrievski ka mbetur i vetëm për ta mbrojtur projektin politik.

“Mbeti vetëm Makso për ta përfunduar avansin që e mori nga Mickoski”, theksohet në komunikatë.

Nga LSDM më tej pretendojnë se ZNAM nuk është parti politike e pavarur, por projekt i krijuar për interesat e VMRO-DPMNE-së dhe për dobësimin e opozitës.

Në komunikatë hapet edhe çështja e kallëzimit të lidhur me tenderët në Postë, ku partia kërkon përgjigje nga institucionet kompetente.

“Tani, kur partia ju shpërbëhet dhe qytetarët që ju besuan janë të mashtruar, mbetet vetëm pyetja: kur do të reagojë Prokuroria për kallëzimin mbi tenderët në Postë?”, pyesin nga LSDM.

artikuj të ndërlidhura