Frankfurt, 16 prill Zhurnal.mk –Qindra fluturime u anuluan sërish sot në mbarë Gjermaninë, ndërsa ekuipazhi i fluturimeve në kompaninë ajrore kombëtare ”Lufthansa” rifilloi një raund të ri grevash.
Në aeroportin më të madh të vendit, në Frankfurt, operatori “Fraport” njoftoi se 656 nga 1 313 ngritje dhe ulje të planifikuara u anuluan, ku pjesa dërrmuese lidhej me fluturimet e “Lufthansa”-s.
Përpjekjet për ndërmjetësim në negociatat e bllokuara për pagat e pilotëve dështuan dje.
“Lufthansa” dhe sindikata e pilotëve “Vereinigung Cockpit” nuk arritën as të bien dakord për një listë çështjesh që duhen zgjidhur.
Protestat e punonjësve errësuan edhe ceremoninë që shënonte 100-vjetorin e kompanisë ajrore gjermane.
Fluturimet u anuluan si në linjën kryesore “Lufthansa”, ashtu edhe në filialet “Lufthansa Cargo” dhe “Lufthansa CityLine”.
Në linjën me kosto të ulët “Eurowings”, grevat ishin planifikuar vetëm për të enjten, ndërsa veprime të tjera sindikale pritet të prekin edhe linja të tjera të grupit gjatë ditës së premte.
Një zëdhënës i kompanisë tha se “Eurowings” po arrin të operojë mbi 70% të fluturimeve të planifikuara, ndërsa një numër i konsiderueshëm pilotësh në avionët gjermanë janë paraqitur vullnetarisht në punë.
