Spielberg u rikthehet alienëve me ”Disclosure day”

Nga D. V.
169 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Regjisori i njohur amerikan, Steven Spielberg ofroi një pamje të filmit të tij të ardhshëm ”Disclosure day”, filmi i tij i fundit artistik për jashtëtokësorët që kur e trajtoi për herë të parë këtë temë, 50 vjet më parë.

Gjiganti i kinematografisë e prezantoi filmin në ”CinemaCon” në Las Vegas, panairi tregtar i industrisë ku studiot zbulojnë shfaqjet e tyre të ardhshme për pronarët e kinemave.

”Disclosure day” përshkruan takimin midis njerëzimit dhe jetës jashtëtokësore, një skenar që të kujton filmin e tij të vitit 1977 “Close Encounters of the Third Kind”.

“Gjysmë shekulli më vonë, e realizova këtë film me një bindje shumë më të fortë se ka më shumë të vërtetë sesa trillim në këtë film”, i tha Steven Spielberg audiencës në ”Colosseum” në ”Caesars Palace”.

Në filmin “Disclosure Day”, i cili do të dalë më 12 qershor në Shtetet e Bashkuara, luajnë, ndër të tjerë, Emily Blunt, Josh O’Connor, Eve Henson dhe Colman Domingo.

“Ky film është një aventurë dhe e vetmja gjë që ju nevojitet për ta ndjekur nga fillimi deri në fund është një rrip sigurimi”, deklaroi regjisori 79-vjeçar.

Steven Spielberg rrëfeu se që nga fëmijëria është magjepsur nga “ajo që ndodh në qiellin e natës”.

“Unë vërtet besoj se ky film do të ofrojë përgjigje dhe do t’ju bëjë të bëni shumë pyetje”, vazhdoi ai.

Në ”CinemaCon”, regjisori fitues tre herë i çmimit Oscar mori një çmim nga Shoqata e Filmave, një organizatë tregtare amerikane që përfaqëson interesat e studiove të mëdha të Hollivudit.

Steven Spielberg foli gjithashtu për rëndësinë që ai u jep shfaqjeve të gjata në kinema, veçanërisht pasi platformat e transmetimit vazhdojnë të ulin të ardhurat nga biletaria.

“Jam veçanërisht i kënaqur që shoh që ‘Universal’ njoftoi së fundmi angazhimin e saj për një dritare kinemaje 45-ditore”, tha regjisori.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër