Maksuti: Raporti i Brukselit duhet të shërbejë si udhërrëfyes për reformat, jo vetëm si kritikë

Nga R.ZH
1,393 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 korrik, Zhurnal.mk – Raporti i fundit i Brukselit nuk duhet të shihet vetëm si një dokument me vërejtje kritike ndaj Maqedonisë së Veriut, por si një udhërrëfyes për reformat që vendi duhet t’i zbatojë për të ndërtuar një shtet funksional të së drejtës. Kështu vlerëson profesori universitar, Prof. Dr. Mersim Maksuti, në një intervistë për Alsat.

Duke komentuar gjetjet e raportit të Bashkimit Evropian, Maksuti tha se dokumenti tregon qartë fushat ku institucionet duhet të intensifikojnë punën, me qëllim që vendi të përmbushë standardet evropiane.

“Këto Maqedonisë nuk duhet t’i vijnë si vërejtje kritike, por si udhërrëfyes për atë se çka mbetet ende dhe çfarë duhet të përmirësojë në fushën e reformave, për ta kthyer vendin në një shtet funksional, stabil, demokratik dhe të së drejtës”, deklaroi Maksuti.

Ai theksoi se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e legjislacionit, por te moszbatimi i tij në praktikë.

“Shteti i ka ligjet dhe ato vazhdimisht rishikohen, por vërejtja kryesore është se ligjet nuk zbatohen në praktikë. Kjo është një kritikë që përsëritet në mënyrë sistematike në raportet e Bashkimit Evropian dhe vazhdon të mbetet e njëjta problematikë”, u shpreh ai.

Sipas Maksutit, sfida kryesore për institucionet, përfshirë edhe pushtetin aktual, është zbatimi efektiv i reformave dhe jo vetëm miratimi i tyre në letër.

“Reformat duhet të zbatohen në praktikë dhe pikërisht kjo mbetet mangësia apo defekti kryesor me të cilin përballet edhe pushteti aktual”, theksoi profesori në intervistën për Alsat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër