Malaj: Procesi i rivlerësimit të pasurive vijon me ritme të larta. Mbi 9.500 aplikime dhe të ardhura të menjëhershme për buxhetin

Nga Xh M
541 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 prill Zhurnal.mk – Në seancën plenare të Kuvendit, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ka nisur zyrtarisht dhe po vijon me ritme të larta, duke hedhur poshtë pretendimet për bllokim të tij.

Ai theksoi se ligji për rivlerësimin u miratua në dhjetor 2025 dhe hyri në fuqi më 20 janar 2026, ndërsa deri më tani janë regjistruar rreth 9.500 aplikime, ku 35% i përkasin Tiranës dhe mbi 60% qyteteve të tjera të vendit.

Procesi do të mbetet i hapur deri më 31 dhjetor 2026, duke u dhënë qytetarëve kohë të mjaftueshme për të përditësuar vlerën e pronës së tyre.

Malaj nënvizoi se skema e rivlerësimit ka një ndikim pozitiv të dyfishtë: nga njëra anë nxit formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme, duke reduktuar praktikat e nëndeklarimit, dhe nga ana tjetër gjeneron të ardhura të menjëhershme për buxhetin e shtetit përmes tatimit mbi rivlerësimin.

“Përmes normës tatimore të reduktuar prej 5%, qytetarët kanë mundësinë të përditësojnë vlerën e pasurive të tyre pranë çmimeve reale, pa u përballur me barrën e plotë tatimore prej 15%. Kjo sjell të ardhura të menjëhershme për buxhetin dhe premisa për të ardhura më të larta e më të qëndrueshme në afatmesëm dhe afatgjatë,” u shpreh ai.

Pas çështjes së rivlerësimit, Malaj iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për tatimet ndaj bizneseve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Malaj theksoi se të dhënat nga ASHK, tregojnë në rreth dy muaj janë mbledhur rreth 30 milionë euro të ardhura nga ky proces.

Ai sqaroi se nga 142.000 tatimpagues aktivë, gjatë vitit 2025 janë kryer vetëm 3700 kontrolle, pra rreth 3%, duke hedhur poshtë pretendimet se tatimet po ushtronin presion ndaj bizneseve të vogla.

Në lidhje me çmimet e reja të referencës, Malaj tha se grupi ndërinstitucional i ngritur për këtë qëllim po punon për të përcaktuar çmime sa më reale, që reflektojnë dinamikën e tregut, zhvillimin e zonave bregdetare dhe transaksionet reale.

Ministri theksoi se me rritjen e bazës së deklaruar të pasurive pritet një rritje e mëtejshme e të ardhurave, si rezultat i një baze tatimore më të drejtë dhe më pranë çmimeve reale të tregut.

“Ju pretendoni se qeveria ka dy vite që ka bllokuar procesin, por nuk ka pasur asnjëherë një proces rivlerësimi të nisur më parë. Mund të ketë pasur nisma, por jo një proces të mirëfilltë. Procesi ka filluar me miratimin e ligjit për rivlerësimin, i cili hyri në fuqi më 20 janar 2026”, u shpreh Malaj.

“Debatin publik duhet ta mbështesim mbi fakte dhe jo mbi perceptime të pasakta që krijojnë paqartësi tek qytetarët,” theksoi ai.

Sa i takon taksës së ndikimit në infrastrukturë, Malaj sqaroi se kjo është një taksë vendore që shkon në buxhetin e bashkive dhe paguhet nga ndërtuesit bazuar në preventivin e investimit, jo mbi çmimet e referencës.

Ai shtoi se një grup pune me nëntë institucione, përfshirë Ministrinë e Financave, ASHK, Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe shoqatat e ndërtuesve e vlerësuesve, po harton metodologjinë e re dhe çmimet e reja të referencës.

“Qëllimi është të kemi çmime referuese sa më afër çmimeve reale të tregut, duke krijuar një bazë taksimi të drejtë, transparente dhe efikase, si dhe duke ngushtuar hapësirat e evazionit fiskal,” tha Malaj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër