Koçan, 18 korrik Zhurnal.mk – Prindërit e të ndjerëve në tragjedinë në diskotekën “Puls” dhe qytetarë të Koçanit sot dolën në marshin e 47-të protestues “Marshi për engjëjt”, duke porositur se ky rast nuk është vetëm një proces gjyqësor, por një tragjedi me 63 jetë të shuara dhunshëm, 218 të lënduar dhe dhimbje të gjithë qytetit.
Marshi nisi nga Parku i Revolucionit dhe vazhdoi drejt ndërtesës së Komunës së Koçanit, ku ndodhen edhe hapësirat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Më pas protestuesit vazhduan drejt Inspektoratit Shtetëror të Punës, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, policisë së Koçanit dhe gjykatës.
Para institucioneve, prindërit dhe qytetarët kërkuan përgjigje për lëshimet dhe mosveprimet që, sipas tyre, i hapën rrugën tragjedisë.
“Para Komunës pyetëm për lëshimet dhe mosveprimet që çuan drejt tragjedisë. Para Inspektoratit Shtetëror të Punës pyetëm se si është e mundur që për 13 vite të mos ketë pasur asnjë kontroll. Para MPB-së pyetëm pse nuk u mbrojtën jetët e njerëzve”, deklaroi Aleksandar Naunov para Gjykatës në Koçan.
Ai u drejtua me pyetje edhe ndaj institucioneve të tjera, përfshirë Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, sigurimin e objektit dhe pronarin e diskotekës, duke kërkuar përgjegjësi për dështimet që, sipas tij, çuan në tragjedi.
Naunov theksoi se procesi gjyqësor nuk është vetëm një gjykim i zakonshëm, por “një provë për drejtësinë dhe besimin e qytetarëve në institucionet”.
“Ne nuk kërkojmë vendime nën presion nga Gjykata. Kërkojmë një vendim të bazuar vetëm në faktet, provat, ligjin dhe ndërgjegjen. Vendimi juaj nuk do t’i kthejë fëmijët tanë, por mund të tregojë se në këtë shtet askush nuk është mbi ligjin dhe se jeta njerëzore është vlera më e lartë”, tha Naunov.
Prindërit porositën se drejtësinë nuk e kërkojnë nga hakmarrja, por si përgjegjësi ndaj viktimave dhe brezave të ardhshëm, me qëllim që një tragjedi e tillë të mos përsëritet më kurrë.
