Masat e sigurisë gjatë sezonit/ Lamallari dhe Hita inspektime në Shëngjin: 357 shoferë u ndëshkuan për shpejtësi të lartë

Nga Xh M
680 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shëngjin, 28 korrik Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, inspektoi zbatimin e masave të sigurisë në zonën e Shëngjinit, në kuadër të sezonit turistik.

Gjatë inspektimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi punonjësit e Policisë Rrugore të Kosovës, të cilët janë në shërbim të përbashkët me kolegët e Policisë Rrugore shqiptare në zonën e Shëngjinit, në kuadër të bashkëpunimit për garantimin e sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik.

Njëkohësisht, ai vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat, me orë të zgjatura shërbimi dhe sakrificë të përditshme, garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve në të gjithë vendin.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se siguria rrugore gjatë sezonit turistik mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit, ndaj janë intensifikuar kontrollet dhe është shtuar përdorimi i mjeteve inteligjente në të gjitha akset rrugore.

Hita u shpreh: “Vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me shpejtësi të konstatuara që varionin nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h. U bëj apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën rrugore dhe të gjitha rregullat e qarkullimit, pasi shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja fatale.”

Drejtori i Përgjithshëm u ndal edhe te problematika e ndotjes akustike, duke vlerësuar punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për kontrollet e vazhdueshme dhe matjet e nivelit të zhurmës me pajisje të specializuara.

Ai kërkoi nga strukturat e Policisë së Lezhës, si dhe nga të gjitha strukturat policore në vend, që të intensifikojnë kontrollet, në zbatim të ligjit dhe të udhëzimeve të dhëna, me qëllim garantimin e qetësisë publike, respektimin e normave të zhurmës dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët dhe pushuesit në të gjitha zonat turistike të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër