Dr. Danillovski për Ethet e Nilit Perëndimor: Tetë rastet e regjistruara janë vetëm maja e “ajsbergut” epidemiologjik

Nga Xh M
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik Zhurnal.mk – Në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë regjistruar tetë raste të Etheve të Nilit Perëndimor, por ky numër nuk pasqyron shkallën reale të përhapjes së virusit. Kështu vlerëson profesori i epidemiologjisë dhe biostatistikës, Dr. Dragan Danillovski, në një reagim të publikuar në Facebook.

Sipas tij, të gjithë pacientët e regjistruar deri më tani kanë pasur formën e rëndë neuroinvazive të sëmundjes, me përfshirje të sistemit nervor qendror, por kjo nuk do të thotë se të gjithë të infektuarit zhvillojnë komplikime të rënda.

“Te infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor, rreth 80 për qind e të infektuarve nuk shfaqin fare simptoma. Rreth 20 për qind zhvillojnë një sëmundje me temperaturë, zakonisht me ecuri të lehtë. Forma e rëndë neuroinvazive paraqitet te më pak se 1 për qind e të infektuarve, ndërsa rreziku rritet me moshën, te personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të dobësuar”, thekson Danillovski.

Ai shpjegon se pikërisht rastet e rënda kanë më shumë gjasa të përfundojnë në spital, të testohen laboratorikisht dhe të përfshihen në statistikat zyrtare. Ndërkohë, rastet pa simptoma dhe një pjesë e rasteve të lehta mbeten të pazbuluara.

“Prandaj, tetë rastet e regjistruara janë vetëm pjesa e dukshme e një ‘ajsbergu’ epidemiologjik. Pjesa e padukshme – numri i përgjithshëm i infektimeve në popullatë – nuk dihet”, thekson ai.

Danillovski paralajmëron se pa këtë sqarim, informacioni se “të gjitha rastet e regjistruara kanë pasur formë të rëndë” mund të interpretohet gabimisht sikur virusi shkakton sëmundje të rëndë te të gjithë të infektuarit ose se është bërë më agresiv, gjë që, sipas tij, nuk është e vërtetë.

Profesori nënvizon se një rëndësi të veçantë epidemiologjike ka edhe fakti se shumica e rasteve të deritanishme janë autoktone, që do të thotë se infektimet kanë ndodhur brenda vendit. Kjo tregon se virusi po qarkullon këtë verë në ciklin natyror zogj–mushkonja dhe se popullsia është e ekspozuar ndaj infektimit.

Sipas tij, në këtë fazë është thelbësore të forcohet mbikëqyrja epidemiologjike dhe entomologjike, të monitorohet aktiviteti i virusit, të kryhet kontroll sistematik i mushkonjave dhe qytetarët të mbrohen nga pickimet.

“Në epidemiologji, një numër i izoluar nuk do të thotë asgjë. Ai është vetëm fillimi i analizës. Kuptimi i tij i vërtetë merret vetëm kur dimë nga cila popullatë vjen, si është regjistruar dhe çfarë ka mbetur e padukshme pas tij”, përfundon Dr. Danillovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër