MASH-i i prezantoi risitë në tre ligjet e reja për arsimin e lartë dhe për veprimtarinë shkencore-hulumtuese, dy janë tashmë në ENER

nga D. V.

Shkup, 6 shkurt – Propozimet për ligjin e ri për arsimin e lartë dhe ligjin për cilësinë në arsimin e lartë janë vendosur në regjistrin kombëtar të rregulloreve (ENER), ndërsa Ligji për veprimtarinë kërkimore-shkencore do të vendoset gjithashtu në ditët në vijim. Komentet dhe propozimet për zgjidhjet e reja ligjore, me të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi reforma në arsimin e lartë dhe shkencën, do të jenë në dispozicion për dorëzim. Risitë më të rëndësishme sot në konferencë për media i kumtoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila tha se paketa e ligjeve pritet të përmirësojë arsimin akademik dhe të inkurajojë aktivitetin kërkimor-shkencor në vend.

Njoftoi se në përgatitjen e ligjeve pa kompensim morën pjesë mbi 60 profesorë, institucione të prekura, përfaqësues të studentëve, ekspertë. Siç tha, veçanërisht Organi Kombëtar Koordinues për Reforma në Arsimin e Lartë dhe Veprimtarinë Shkencore – Hulumtuese shkëlqyeshëm e përfundoi detyrën e parë për çka edhe ishte formuar nga Qeveria. 

Ligji i ri për arsimin e lartë duhet ta zëvendësojë atë ekzistues nga viti 2018, i cili, tha Janevska, krijoi më shumë probleme se sa ka zgjidhur. Është konfirmuar metodë e re e financimit të institucioneve të arsimit të lartë. Është paraparë komponentë zhvillimore dhe komponentë e jashtëzakonshme për sukses, gjegjësisht më shumë para për ata universitete të cilat do të bëjnë përpjekje të përmbushin kritere më të larta të caktuara. Kjo, siç tha ministrja, do ta stimulojë konkurrencën e cila sjellë cilësi. 

Është paraparë përparësi që gjatë punësimit në universitetet shtetërore si kuadër arsimor-shkencor të kenë studentët të cilët janë me bursë nga shteti që studiojnë në 100 universitetet më të mira botërore ose studiojnë këtu dhe janë fitues të çmimit “Unaza inxhinierike” ose janë shpallur studentë më të mirë në universitet. 

Një nga risitë më të rëndësishme, për çka ka më së shumti interesim te kuadri akademik dhe tashmë po arrijnë komente, është ajo që po fuqizohen kriteret për avancime në tituj në fakultete. 

“Çdokush që aplikon për zgjedhje në titullin – docent, profesor ordinar dhe profesor inordinar, që tani e tutje, varësisht nga titulli, do të jetë i detyruar të prodhojë dhe publikojë gjashtë deri në shtatë punime shkencore deri në kohën e përzgjedhjes. Tre deri në katër prej tyre duhet të jenë të publikuara në revistë me faktor ndikimi nga bazat e të dhënave Web of Science ose Scopus. Kjo është e rëndësishme sepse statistikat botërore thonë se që një universitet të jetë ndër 1000 më të mirët në Renditjen e Shangait, duhet të publikojë të paktën 1200 punime në revista me faktor ndikimi çdo vit. Universitetet tona publikojnë midis 300 dhe 500 punime në vit dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë”, tha Janevska.

Informoi se për profesorët që gjenden në pozicione gjatë procesit të përzgjedhjes, do të ketë lehtësime në procedurë dhe se ligji i ri përcakton që një profesor mund të qëndrojë në të njëjtin pozicion për gjithë jetën nëse plotëson kërkesat për atë pozicion gjatë çdo përzgjedhje të ardhshme .

Pas miratimit të ligjit, profesorët e zgjedhur me kohë të plotë në të ardhmen do të kenë të drejtë rizgjedhjeje pas shtatë vitesh. Ata që tashmë janë zgjedhur profesorë me kohë të plotë nuk do të mbulohen nga ky ligj, d.m.th. ligji nuk zbatohet në mënyrë prapavepruese dhe bashkësia akademike unifikohet në të gjithë territorin. Ligji i ri rikthen dispozitën para vitit 2018 për mandatin e rektorëve, kështu që ai do të jetë përsëri katër vjet në vend të tre viteve aktuale, ndërsa ndryshohet edhe modeli për zgjedhjen e rektorit.

Ligji parasheh që të vendosen edhe studime profesionale nga cikli i parë, i dytë dhe i tretë me kalueshmëri drejt studimeve akademike, si dhe programe të shkurta profesionale për arritjen e njohurive specialiste. Për nxitjen e transparencës në punën e universiteteve shtetërore, do të aktivizohen këshillat për besim me publikun dhe këshillat në universitete, të cilët nuk funksionuan në të kaluarën. Këshilli Kombëtar për Arsim të Lartë dhe Shkencë, merr disa detyra. 

“Pagat më nuk janë mjet i diskutimit. Janë rritur për 14 për qind vitin e kaluar, ndërsa është rritur edhe buxheti për mbështetje të veprimtarisë shkencore – hulumtuese – prej 380 milionë denarë në vitin 2024 në 773 milionë denarë këtë vit. Më shumë se dyfish”, theksoi Janevska. 

Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë, nga ana tjetër, parashikon riorganizimin dhe ringjalljen e rolit të Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, e cila në pesë vitet e fundit të ekzistencës së saj nuk ka qenë mjaftueshëm funksionale dhe, siç tha Janevska, ka kryer vetëm akreditimin e programeve studimore, por jo vlerësimin. Ligji i propozuar planifikon të shfuqizojë këshillat e vlerësimit dhe akreditimit që ekzistonin brenda Agjencisë dhe në vend të kësaj, do të krijohet Këshill që do të punojë me komisione ekspertësh. Këshilli do të përcaktojë procedurat për vlerësimin, vetëvlerësimin, akreditimin dhe mbikëqyrjen e punës së institucioneve të arsimit të lartë dhe subjekteve kërkimore shkencore.

Ligji i tretë në pako është për veprimtarinë shkencore hulumtuese dhe është në korrelacion të ngushtë me dy të tjerët. Janevska informoi se me të parashihen lloje të institucioneve shkencore, ndarjen e mjeteve për projekte shkencore – hulumtuese, financim të instituteve shkencore dhe qendra për përsosmëri, definim i qartë i procedurave për zgjedhje në tituj shkencorë, etj. 

Plani i MASH-it është që ligjet të mbeten 30 ditë në ENER. Ministrja kumtoi se pas dy javëve do të fillojnë debate publike në universitete, pastaj ligjet do të dërgohen në procedurë qeveritare dhe pas pranimit të ligjeve në Kuvend, komisioni parlamentar amë do të mund të organizojë debat publik në Parlament para se të jepen për miratim. 

“Pres që Kuvendi t’i miratojë të gjitha menjëherë, sigurisht pasi të ketë paraqitur më parë tekstet më të mira që do të dalin nga debati publik që Qeveria filloi të hënën. Debate do të zhvillohen edhe në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, dhe shpresoj për një diskutim cilësor në Kuvend”, shtoi ministrja në konferencën për media.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More