Shkup, 3 janar – Viti 2025 u shoqërua me sfida të vazhdueshme për qytetarët e Shkupit, veçanërisht në transportin publik dhe menaxhimin e mbeturinave.
Transporti urban mbeti një nga shqetësimet kryesore, me autobusë që shpesh mungonin në oraret e paralajmëruara, vonesa të shpeshta, autobusë të prishur në rrugë dhe mbingarkesë në linjat kryesore. Qytetarët shpesh ankoheshin për kushte jo të përshtatshme udhëtimi dhe pasiguri në planifikimin e përditshëm, sidomos gjatë orëve kur ktheheshin nga puna apo kur nxënësit shkonin në shkollë.
Paralelisht, problemi i vitit 2025 ishte edhe ai i mbeturinave që shkaktoi revolt të madh tek qytetarët e Shkupit. Në shumë lagje, kontejnerët mbeteshin të mbushur për ditë të tëra, ndërsa grumbujt e mbeturinave në hapësira publike u kthyen në pamje të zakonshme. Banorët shpesh ngritën shqetësime për erën e rëndë, rrezikun për shëndetin publik dhe mungesën e një zgjidhjeje afatgjatë nga institucionet përgjegjëse. Temë diskutimi neper në rrjetet sociale u bënë edhe minjtë të cilët dilnin lirshëm neper qytet dhe shfrytëzonin mbeturinat për ushqim.
Pavarësisht premtimeve për përmirësim, qytetarët e Shkupit gjatë vitit 2025 u përballën çdo ditë me pasojat e shërbimeve joefikase, duke kërkuar më shumë përgjegjësi, transparencë dhe masa konkrete për transport publik funksional dhe një qytet më të pastër.
Vitin 2025, qytetarët e Shkupit do ta rikujtojnë si viti i pritjes së gjatë në stacione autobusi, i rrugëve të ndotura dhe i mungesës së reagimit institucional.
