Prishtinë, 20 gusht, Zhurnal.mk – Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për posedim të substancave narkotike në Brezovicë, ndërsa gjatë operacionit janë konfiskuar mbi një kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Rasti është regjistruar më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, pasi njësitet policore të Stacionit Policor në Shtërpcë kanë pranuar informatë për një substancë të dyshuar narkotike në një villë të pabanuar në Brezovicë.
Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe kontrollit të një 27-vjeçari kosovar, policia ka gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe dy peshore digjitale.
Për shkak të dyshimeve se personi mund të posedonte edhe substanca të tjera narkotike, policia ka kontrolluar edhe një villë tjetër, ku është gjetur një sasi shtesë e marihuanës së dyshuar.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar gjithsej 1,063 gramë marihuanë e dyshuar, dy peshore digjitale, një çantë krahu e zezë, një thikë metalike dhe një telefon celular.
Për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, e cila ka marrë përsipër procedimin e mëtejshëm. Ndërkohë, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit dhe ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
