Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – Treguesit ekonomikë dëshmojnë për rritje të përshpejtuar të pagave dhe pensioneve gjatë periudhës së qeverisë aktuale, pretendojnë nga VMRO‑DPMNE në një komunikatë.
Nga partia theksojnë se paga mesatare nga korriku 2024 deri në maj 2026 është rritur 70% më shpejt në nivel mujor sesa në periudhën nga qershori 2017 deri në maj 2024, kur në pushtet ishin LSDM dhe BDI.
Sipas të dhënave të prezantuara nga VMRO‑DPMNE, paga mesatare në qershor 2017 ka qenë 22.808 denarë, ndërsa në maj 2024 ka arritur në 41.252 denarë. Kjo paraqet rritje prej 18.444 denarësh në 84 muaj, ose mesatarisht rreth 220 denarë në muaj.
Në korrik 2024 paga mesatare ka qenë 40.961 denarë, ndërsa në maj 2026 ka arritur në 49.544 denarë. Për 23 muaj, sipas VMRO‑DPMNE, paga është rritur për 8.583 denarë, ose mesatarisht rreth 373 denarë në muaj.
Nga partia theksojnë edhe rritjen e pensioneve të pleqërisë. Sipas analizës së tyre, pensioni mesatar i pleqërisë në qershor 2017 ka qenë 15.273 denarë, ndërsa në maj 2024 ka arritur në 22.937 denarë. Kjo është rritje prej 7.664 denarësh për shtatë vite, ose rreth 91 denarë në muaj.
Në korrik 2024 pensioni mesatar i pleqërisë ka qenë 22.858 denarë, ndërsa në maj 2026 ka arritur në 29.663 denarë. Kështu, për 23 muaj pensioni është rritur për 6.805 denarë, që sipas VMRO‑DPMNE paraqet rritje mesatare prej rreth 296 denarësh në muaj, ose 325% më shumë krahasuar me periudhën e qeverisë së mëparshme.
Nga VMRO‑DPMNE thonë se këta tregues janë dëshmi për përmirësimin e standardit jetësor përmes pagave dhe pensioneve më të larta dhe se dallimet mes politikave ekonomike të dy qeverive mund të maten përmes shifrave konkrete.
“Qytetarët meritojnë rritje ekonomike që ndihet në çdo familje”, theksojnë nga partia, duke shtuar se politika e tyre është e orientuar drejt punës, rritjes dhe standardit më të lartë.
