Prishtinë, 8 gusht Zhurnal.mk – Mbi 120 fluturime direkte nga Gjermania drejt Kosovës janë realizuar vetëm gjatë javës së kaluar, duke reflektuar fluksin e madh të bashkatdhetarëve që po vizitojnë vendlindjen gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.
Të dhënat janë bërë të ditura nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, gjatë fjalës së tij në takimin e bizneseve gjermano-shqiptare, që po mbahet në Prishtinë.
Sipas Ajetit, gjatë javës së kaluar janë realizuar gjithsej 127 fluturime direkte nga Gjermania drejt Kosovës, me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, nga rreth 40 aeroporte gjermane.
“Vetëm javën e kaluar janë realizuar 127 fluturime direkte nga Gjermania drejt Kosovës. Këto fluturime nuk janë thjesht vetëm fluturime të pasagjerëve, por janë edhe qarkullim i kapitalit dhe dijes. Shumë ndërmarrës takimet paradite i bëjnë në Prishtinë dhe pasdite në Berlin ose kudo në Gjermani”, tha Ajeti.
Ambasadori theksoi se lidhjet e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë nuk kufizohen vetëm te marrëdhëniet ekonomike, por ndikohen edhe nga prania e madhe e diasporës kosovare në Gjermani.
Sipas tij, mbi 600 mijë shtetas të Kosovës jetojnë në Gjermani, ndërsa gjatë muajve të verës një pjesë e madhe e tyre udhëtojnë drejt Kosovës për pushime dhe për të vizituar familjarët.
Numri i lartë i fluturimeve direkte gjatë kësaj periudhe pasqyron edhe rëndësinë që diaspora vazhdon të ketë për lidhjet ekonomike, sociale dhe familjare ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
