Mbi 90 mijë persona të papunë në Maqedoninë e Veriut, mbi 100 mijë punojnë “në të zezë”

Nga I.A
1,083 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 gusht, Zhurnal.mk – Numri i popullsisë aktive në tremujorin e dytë të vitit 2026 është rritur për 0,8% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa numri i personave të papunë është ulur për 1,5%.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, popullsia aktive në vend është 798.718 persona, prej të cilëve 708.698 janë të punësuar, ndërsa 90.020 janë të papunë. Shkalla e aktivitetit është 52,5%, shkalla e punësimit 46,6%, ndërsa shkalla e papunësisë 11,3%.

Nga numri i përgjithshëm i të papunëve, 63,6% janë burra, ndërsa 36,4% gra.

Numri i personave të punësuar shënon rritje prej 1%. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 57,7% janë burra, ndërsa 42,3% gra.

Në tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i të punësuarve në mënyrë joformale ka arritur në 101.022 persona, që paraqet një rritje prej 7,2% krahasuar me tremujorin paraprak.

“Rritja në masë më të madhe vjen si rezultat i shtimit të numrit të të punësuarve joformalë në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, ku janë evidentuar 51.487 persona, ose 51% e punësimit të përgjithshëm joformal. Në ndërtimtari janë të përqendruar edhe 17,2% e të punësuarve joformalë. Kjo strukturë tregon se aktivitetet sezonale në këta dy sektorë kanë ndikim kyç në lëvizjet tremujore të punësimit joformal”, theksojnë nga Enti Shtetëror i Statistikës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër