Shkup, 27 gusht, Zhurnal.mk – Studentët kërkuan zgjidhje por në vend të saj po u ofrohet bindje. Ministri i ri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i cili është edhe profesor universitar, përballë kërkesave të studentëve të tij nuk po ofron zgjidhje ligjore të plotë, por po tenton t’i bindë se kompromisi i propozuar është avancim. Ky dallim mes pritshmërive të studentëve dhe qasjes së ministrit ka krijuar sërish revoltë dhe debat publik, shkruan Zhurnal.
Çfarë thotë ministri i ri për problemin e vjetër?
Ministri i ri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka paralajmëruar takime konsultative me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantojë modelin e ri të provimit të jurisprudencës. Sipas tij, pjesa teorike do të mund të zhvillohet në gjuhën amtare shqip, turqisht apo anglisht ndërsa pjesa praktike mbetet e pandryshuar, në gjuhën maqedonase.
Ai e justifikon këtë ndarje me faktin se materialet gjyqësore, dispozitat ligjore dhe praktika profesionale janë të disponueshme vetëm në maqedonisht. Për Shasivarin, ky kompromis është një zgjidhje afatgjatë, e qëndrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ministri ka theksuar se nuk duhet bërë “eksperimente” me vendime të shpejta, por të ndërtohet një model i qëndrueshëm që shmang zvarritjet e procesit.
Në këtë kuadër, ai ka shprehur bindjen se me sqarime profesionale dhe institucionale, studentët do ta kuptojnë se bëhet fjalë për avancim dhe për një qasje gjithëpërfshirëse. Për Shasivarin, ky kompromis nuk është pengesë por hap drejt standardeve ndërkombëtare dhe një provim pa barriera gjuhësore.
Çfarë thonë studentët?
Studentët shqiptarë nuk e pranojnë këtë kompromis dhe kërkojnë një zgjidhje finale e të plotë. Kryetari i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza”, Besar Sejdi, ka theksuar se provimi duhet të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe si në teori, ashtu edhe në praktikë.
Ata e mbështesin qëndrimin e tyre në nenin 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili parasheh përdorimin e shqipes në procedurat gjyqësore kur flitet nga mbi 20% e qytetarëve. Për studentët, ky nen është garanci ligjore që provimi i jurisprudencës nuk mund të ndahet në dy gjuhë. “Na bindni me ligj, jo me fjalë”, ka deklaruar Sejdi, duke kërkuar bazë ligjore për ndarjen e provimit.
Studentët paralajmërojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre dhe se protestat do të vazhdojnë nëse nuk plotësohen kushtet. Për ta, kompromisi i propozuar nuk është avancim, por kufizim i të drejtave gjuhësore dhe një formë diskriminimi institucional.
Kujtojmë që, debati mbi provimin e jurisprudencës ka dalë përtej aspektit teknik dhe është shndërruar në çështje politike e identitare. Ministria e sheh kompromisin si zgjidhje afatgjatë, ndërsa studentët e shohin si cenim të barazisë gjuhësore. Nëse procesi mbetet në nivelin e “bindjes”, rrezikohet të perceptohet si imponim. Vetëm një zgjidhje e qartë ligjore, që garanton përdorimin e shqipes në teori dhe praktikë, mund të sjellë qetësi dhe besim tek studentët. /Zhurnal.mk
