Shkup, 27 gusht, Zhurnal.mk – Autostrada Shkup–Bllacë po merr një dimension të rëndësishëm edhe në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Krahas SHA “Granit” si kompani vendore, në tenderin për ndërtimin e kësaj autostrade ka marrë pjesë edhe GENER2, si një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit nga Shqipëria.
GENER2 do të angazhohet në një nga pjesët më komplekse të projektit – ndërtimin e urave dhe tuneleve.
Bëhet fjalë për një segment me kërkesa të larta teknike, që përfshin gjithsej 5 tunele, 8 ura dhe 11 nënkalime.
Faza e dytë e ndërtimit të autostradës u promovua dje nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti dhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti e Bilall Kasami, projekt i cili kap vlerën prej 198 milionë euro.
Pjesëmarrja e një kompanie të madhe shqiptare në këtë projekt e forcon edhe më tej dimensionin rajonal të autostradës Shkup–Bllacë e cila pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Nga një projekt i zvarritur për vite, autostrada Shkup–Bllacë tashmë po kalon në fazën konkrete të realizimit, me kompani të mëdha të përfshira dhe me punime në terren.
