Mblidhet grupi parlamentar i PD, Berisha: Kërkova nga PPE mbështetje ndërkombëtare për protestat qytetare

Nga D V
478 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi sot grupin parlamentar të PD-së.

Në fjalën e tij, në hapje të mbledhjes së grupit parlamentar të selisë blu, Berisha tha se ka kërkuar nga Partia Popullore Evropiane mbështetje ndërkombëtare për protestat qytetare, të cilat, sipas tij, mbështeten plotësisht nga forca politike që ai drejton.

“Konferenca e PPE-së u kryesua drejtpërdrejt nga presidenti Manfred Weber dhe ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për rajonin. Një ngjarje e cila dëshmonte angazhimin e madh të Partisë Popullore Evropiane për të mbështetur forcat politike anëtare të kësaj partie në përpjekjet e tyre për procesin e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian”, tha Berisha.

“Në fjalën time u ndala te regjimi autokratik apo diktatura autoritare e bazuar në farsën zgjedhore, në lidhjet me krimin dhe korrupsionin e madh dhe kartelin e drogës. Sigurisht, një rëndësi të veçantë i kushtova lidhjeve të regjimit me drogën dhe kartelet e drogës, gjë e cila tashmë ka marrë njohje ndërkombëtare. Por kryefjala e fjalës sime në Sarajevë ishte: Shqipëria në sallën e urgjencës”, u shpreh Berisha.

Ai tha se “ka paraqitur situatën reale në Shqipëri, ku dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit. Janë ngritur me kërkesa të drejta: dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë një shkelje flagrante e ligjeve kushtetuese të vendit dhe direktivave kryesore të Komisionit Europian për mjedisin, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e natyrës”.

“Denoncova me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj protestuesve, si dhe kërcënimet, talljet, fyerjet dhe etiketimet që ai u bën protestës rinore e qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi. Kërkova nga drejtuesit e Partisë Popullore Evropiane dhe të pranishmit të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre, në mënyrë që kriza e thellë që ka mbërthyer vendin, tashmë në sallën e urgjencës, të zgjidhet në mënyrë paqësore: me largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhje të reja. Kjo ishte rekomandimi im dhe pati shumë interes gjatë dhe pas fjalës sime për situatën në Shqipëri”, vijoi Berisha.

Ai tha se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për këto protesta. “Ndaj qytetarët shqiptarë duhet të mbështeten. Nuk duhet të shkohet pas në hapa të tjerë dhe nuk mund të përdoret dhuna ndaj tyre, përveç përmbushjes së kërkesave politike. Informova audiencën se kjo protestë nuk është e thirrur nga Partia Demokratike, por mbështetet plotësisht prej saj, dhe shpjegova arsyet: kërkesat janë të drejta, ndaj ne qëndrojmë në mbështetje të tyre”, nënvizoi Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër