Memishi: Pas më shumë se dy dekadash, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po bëhet ligj

Nga R.ZH
844 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 qershor, Zhurnal.mk – Daut Memishi nga VLEN deklaroi se vendi ndodhet përballë një momenti historik, pasi pas më shumë se dy dekadash vonesë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po merr formë ligjore.

Sipas tij, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është një parim kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit, konkretisht nga pika 4.2 e saj, dhe për këtë arsye ligji në fjalë nuk duhet parë si një akt i zakonshëm juridik, por si një hap i rëndësishëm drejt zbatimit dhe avancimit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Jo më fjalë që i merr era dhe as premtime për të kaluar zgjedhjet, por ligj. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Ky është një hap historik përpara drejt zbatimit dhe avancimit të saj”, deklaroi Memishi.

Ai kritikoi partitë që kanë qenë pjesë e pushtetit në të kaluarën, duke thënë se kanë pasur mundësinë dhe mbështetjen e qytetarëve për ta miratuar këtë ligj, por sipas tij, ka munguar vullneti politik.

“Ky ligj është dashur të miratohej para më shumë se dy dekadave. Ata që sot bërtasin e kishin besimin e shqiptarëve dhe pushtetin për ta bërë këtë ligj. Në çdo zgjedhje premtonin, ndërsa në çdo mandat arsyetoheshin”, tha ai.

Memishi kujtoi gjithashtu deklaratat e mëhershme se Marrëveshja e Ohrit ishte realizuar plotësisht, duke pyetur se ku kishte mbetur Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin e cilësoi si një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes.

Sipas tij, avancimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk bëhet me deklarata ceremoniale, por me shndërrimin e parimeve të saj në norma ligjore.

“Me këtë ligj, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat bëhet obligim ligjor për të gjitha institucionet. Jo më improvizime dhe zgjidhje të përkohshme, por një sistem i bazuar në metodologji, të dhëna dhe përgjegjësi institucionale”, theksoi Memishi.

Ai shtoi se, ndonëse për 25 vjet askush nuk e ka sjellë këtë zgjidhje ligjore, VLEN po e realizon atë brenda 25 muajve, duke vlerësuar se për qytetarët shqiptarë ka më shumë rëndësi një ligj që garanton të drejtat e tyre sesa postet dhe funksionet politike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër