Merz: Koreja e Veriut kërcënon sigurinë e Evropës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Seul, 29 tetor, Zhurnal.mk – Koreja e Veriut po kërcënon lirinë në të gjithë Evropën, duke dërguar trupa për të luftuar përkrah Rusisë në Ukrainë, deklaroi sot kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut.

Pas takimit me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, në Seul, Merz tha se bashkëpunimi ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën rrezik jo vetëm për Azinë, por edhe për Evropën.

Ai theksoi se Rusia po i dërgon armë Koresë së Veriut, në këmbim të ndihmës që kjo e fundit i jep në luftën kundër Ukrainës.

Sipas tij, kjo tregon se siguria e Koresë së Jugut ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e Evropës, dhe anasjelltas.

“Bota është e vogël, edhe në kohë lufte”, u shpreh Merz.

Merz dhe presidenti Lee ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Ata kërkuan më shumë shkëmbime mes ushtrive, stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe ndarje të informacionit të zbulimit.

Gjithashtu, të dy liderët nxitën kompanitë e industrisë ushtarake në Gjermani dhe Korenë e Jugut të bashkëpunojnë më shumë.

Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë sasi të mëdha municionesh dhe raketash që përdoren në luftën kundër Ukrainës.

Sipas vlerësimeve të shërbimit të zbulimit të Koresë së Jugut, Pheniani ka dërguar gjithashtu rreth 15 mijë ushtarë për të luftuar përkrah forcave ruse.

Në këmbim, vëzhguesit mendojnë se Rusia po i ofron Koresë së Veriut ndihmë financiare, teknologji ushtarake dhe garanci për mbrojtjen e saj.

Gadishulli Korean është i ndarë në dy shtete që prej luftës së viteve 1950–1953.

Koreja e Veriut drejtohet nga Kim Jong Un dhe ka një regjim komunist autoritar, ndërsa Koreja e Jugut është një demokraci e zhvilluar ekonomikisht dhe me lidhje të forta me vendet perëndimore.

Më shumë se 70 vjet pas luftës, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.

Ato nuk kanë nënshkruar ende një traktat paqeje që t’i japë fund zyrtarisht konfliktit.

Përpara se Merz të mbërrinte në Seul, ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se Koreja e Veriut kishte lëshuar rreth 10 raketa balistike me rreze të shkurtër drejt Detit të Lindjes, i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë.

Javën e kaluar, qeveria e Seulit propozoi rifillimin e bisedimeve me Korenë e Veriut, por Pheniani nuk ka treguar deri tani, gatishmëri për t’u ulur sërish në tryezën e negociatave.

Presidenti Lee tha se Merz kishte ofruar mbështetjen e Gjermanisë për përpjekjet për rifillimin e dialogut mes dy Koreve.

Nga ana e tij, kancelari gjerman shprehu besimin që në të ardhmen gadishulli Korean të ribashkohet, ashtu siç ndodhi me Gjermaninë në vitin 1990, pas rënies së Murit të Berlinit.

“Gjermania dhe Koreja janë të lidhura nga përvoja e dhimbshme e ndarjes”, shkroi Merz në librin e përshtypjeve gjatë takimit me presidentin Lee.

“Uroj që edhe populli korean të përjetojë atë që ne kemi fatin të përjetojmë në Gjermani: bashkimin në liri”, shtoi ai.

Në ditën e fundit të vizitës së tij disaditore në Azi, Merz pritet të vizitojë nesër zonën e çmilitarizuar që ndan Korenë e Veriut nga Koreja e Jugut.

Kjo zonë është një hapësirë kufitare ku prania dhe veprimtaria ushtarake janë të kufizuara sipas marrëveshjeve përkatëse.

Vizita në Korenë e Jugut është ndalesa e fundit e udhëtimit të tij në Azi, i cili përfshiu gjithashtu Singaporin dhe Japoninë.

artikuj të ndërlidhura