Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi reagoi sot ndaj një materiali të emisionit “Plug” në “Syri TV”, që ngre pretendime për trafik armësh lidhur me projektin e kompanisë AAT.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi sqaroi funksionimin e modelit të bashkëpunimit industrial të kompanisë shtetërore KAYO, qëllimin e krijimit të AAT-së, fazën aktuale të projektit dhe deklaratat e tij të mëparshme në Kuvend lidhur me teknologjitë e partnerit privat.
Sipas tij, emisioni “Plug” në Syri TV i dha vetes një mision të vështirë: të gjente trafik armësh atje ku nuk ka ende as prodhim armësh.
Ministri sqaroi se KAYO nuk është një mister por një shoqëri shtetërore.
“Modeli i bashkëpunimit industrial të KAYO-s mbështetet në një parim të qartë: pala shtetërore siguron kontributin dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshje, ndërsa partneri privat sjell investimin, teknologjinë, pronësinë intelektuale (IP), njohuritë teknike dhe planin e biznesit”, shkroi Nufi.
Nufi theksoi se, “kështu funksionojnë partneritetet industriale. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende me industri mbrojtjeje shumë më të zhvilluara”.
“E kuptoj që kjo mund të tingëllojë më pak emocionuese se një histori me trafik ndërkombëtar armësh, por ekonomia reale nuk ka detyrimin t’u përshtatet nevojave të audiencës së Syri TV”, shtoi Nufi.
Ministri theksoi se, AAT është krijuar për të prodhuar armë jo për të prodhuar fantazi. Sipas tij, AAT është krijuar për zhvillimin e kapaciteteve të prodhimit të armatimit në Shqipëri.
“Pala shtetërore ka marrë përsipër vënien në përdorim të një objekti që mbetet në pronësi të shtetit shqiptar, ndërsa partneri privat investimin, teknologjinë dhe njohuritë përkatëse”, tha Nufi.
Ministri nënvizoi se, “Combat Proven” nuk do të thotë “Made in Albania”. Ai theksoi se, asnjëherë nuk ka deklaruar se këto armë po prodhoheshin në Shqipëri.
Sipas ministrit, “të ngatërrosh teknologjinë e partnerit të huaj me produktin e një fabrike shqiptare që ende nuk ka filluar prodhimin, kërkon ose një mungesë të theksuar njohurish, ose një tepricë të qëllimshme imagjinate”.
Nufi tha se AAT nuk prodhon ende armë në Shqipëri.
Sipas tij, projekti është ende në fazën e projektimit dhe të përgatitjes së infrastrukturës teknike.
“Shoqëria AAT aktualisht nuk ka nisur asnjë aktivitet prodhues armatimi në territorin e Republikës së Shqipërisë”, theksoi Nufi, duke shtuar se, këtu nis pjesa më interesante e fabulës televizive.
“Sipas logjikës së emisionit, një fabrikë që ende nuk ka nisur prodhimin, paska arritur të bëhet protagoniste e një historie ndërkombëtare trafiku armësh!”, shprehet Nufi.
“Ka edhe diçka shumë më serioze sesa fantazia e një emisioni televiziv. Investimet nuk zhvillohen në vakuum. Ato kërkojnë besim, siguri dhe stabilitet. Një fushatë e vazhdueshme akuzash të pambështetura mund të dëmtojë besimin e investitorëve, të vonojë projektet dhe, në rastin më të keq, të rrezikojë vetë realizimin e tyre”, tha ai.
Dhe, theksoi ministri, nëse kjo ndodh, humbjen nuk do ta paguajnë autorët e emisionit por ekonomia, industria e mbrojtjes dhe, mbi të gjitha, do ta paguajnë familjet e Rubikut dhe Mirditës, të cilave mund t’u mohohet një mundësi reale punësimi dhe zhvillimi.
Nufi theksoi se AAT nuk ka kryer asnjë eksport, paketim apo rieksportim armësh.
Ai drejtoi disa pyetje për autorët e emisionit.
“Ku janë armët e trafikuara? Ku janë dërgesat? Ku janë dokumentet e transportit, transaksionet dhe destinacionet?”, u shpreh Nufi, sepse shtoi ai, “në botën reale trafiku i armëve kërkon armë, veprime konkrete dhe prova”.
“Në botën e “Syri Qorr”, me sa duket, mjafton një titull, një montazh dhe një dozë e bollshme fantazie”, theksoi ministri.
Nufi nënvizoi se, “Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, jo një republikë e skenarëve televizivë!”.
“Industria e mbrojtjes, licensimi, prodhimi, tregtimi, transporti, magazinimi dhe eksporti i produkteve ushtarake i nënshtrohen kuadrit ligjor dhe mekanizmave të kontrollit nga autoritetet kompetente”, vijoi Nufi.
Ministri theksoi se, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, me detyrime ndërkombëtare dhe përgjegjësi të qarta institucionale.
“Këto standarde nuk janë një pengesë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Janë pikërisht themeli mbi të cilin ajo po ndërtohet”, theksoi Nufi.
Natyrisht, vijoi ministri, “anëtarësimi në NATO nuk e përjashton kontrollin dhe as nevojën për transparencë. Por po aq qartë, një akuzë për trafik të paligjshëm armësh kërkon prova dhe nuk mund të zëvendësohet me insinuata”.
Nufi reagoi edhe ndaj gazetarëve.
“Tani, dy fjalë për “investigatorët”! Nuk kam asnjë problem me gazetarinë kritike. Përkundrazi, besoj se ajo është e domosdoshme për çdo shoqëri demokratike. Por gazetaria investigative ka një dallim thelbësor nga trillimi: në gazetari, fillimisht gjenden faktet dhe pastaj ndërtohet historia. Jo e kundërta!”, theksoi ai.
Nufi theksoi se, “të marrësh një deklaratë parlamentare, ta shkëpusësh nga konteksti, t’i atribuosh një kuptim që nuk e ka pasur dhe pastaj mbi këtë interpretim të ndërtosh një akuzë për trafik armësh, nuk është automatikisht investigim vetëm sepse e transmeton në televizion. Është një interpretim që duhet të përballet me faktet!”.
Duke iu drejtuar autorëve të spektaklit, Nufi u shpreh se, “nuk mund të “trafikoni” kuptimin e fjalëve të mia dhe pastaj të më akuzoni mua për trafik armësh”.
“Kjo është ndoshta e vetmja formë trafiku që del qartësisht nga mënyra se si është ndërtuar kjo histori: trafiku i kuptimeve, i insinuatave dhe i përfundimeve të pambështetura”, theksoi Nufi.
“Ne po punojmë për të ndërtuar kapacitete industriale, për të tërhequr investime, për të transferuar teknologji dhe për ta bërë Shqipërinë pjesë të zinxhirit të prodhimit të industrisë euroatlantike të mbrojtjes. Nuk i biem fyellit të Syri TV dhe as kemi ndërmend t’i përshtatim projektet strategjike të vendit sipas skenarëve të emisioneve të tij”, vijoi ai.
“Mund të kritikoni. Mund të pyesni. Mund të hetoni. Madje, është detyra juaj ta bëni! Por nëse akuzoni, provoni! Sepse një akuzë e rëndë nuk bëhet e vërtetë vetëm ngaqë përsëritet me zë të lartë”, theksoi ai.
Duke folur për interesat kombëtare, Nufi u shpreh se, “zhvillimi i një industrie shqiptare të mbrojtjes nuk është një projekt i zakonshëm biznesi. Është një çështje e rëndësishme për sigurinë kombëtare, ekonominë dhe autonominë tonë industriale”.
Sigurisht, shtoi Nufi që ky zhvillim duhet kontrolluar, hetuar dhe mbajtur nën përgjegjësi publike.
Por, theksoi ai, “kur një projekt i tillë sulmohet përmes interpretimeve që nuk mbështeten në prova, është legjitime të shtrohet edhe një pyetje tjetër: kujt i intereson që Shqipëria të mos zhvillojë kapacitetet e veta të prodhimit në industrinë e mbrojtjes? A ka interesa të reja apo shumë të vjetra, brenda apo jashtë vendit, që do të preferonin një Shqipëri pa këto kapacitete?”.
“Një industri kombëtare e mbrojtjes më e dobët nuk është në interes të Shqipërisë. Dhe interesi kombëtar nuk mund të bëhet peng i fantazisë televizive! Faktet nuk kanë nevojë për regji, përrallat, po!”, përfundoi reagimin e tij ministri Nufi.
