Merz: Nëse arrihet marrëveshje me SHBA, BE mund të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit

Nga Xh M
530 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 24 prill Zhurnal.mk – Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm që gradualisht të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit, nëse arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Reduktimi i sanksioneve mund të jetë pjesë e procesit”, tha Merz pas samitit të BE-së në Nikozi.

“Dhe, askush nuk e ka kundërshtuar këtë”, tha ai.

Merz e përshkroi këtë si “pjesë të asistencës” që Evropa mund të ofrojë për të avancuar procesin dhe me shpresë për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi afatgjatë.

Ky qëndrim u prit me kujdes nga disa udhëheqës të tjerë të BE-së.

Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, gjatë një konference të përbashkët për media pas takimit tha se ende është herët që të diskutohet heqja e ndonjë sanksioni ndaj Iranit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri komente të ngjashme.

Merz i bëri këto deklarata në një kohë kur BE-ja thuhet se po zhvillon plane emergjente për të përballuar një mungesë, në një të ardhme të afërt, të karburantit për aeroplanë dhe për të maksimizuar prodhimin e rafinerive për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, të lidhura me luftën me Iranin.

Evropa është më e varur nga importet e karburantit për aeroplanë se nga çdo lloj tjetër karburanti për transport, me rreth 75 për qind që vjen nga Lindja e Mesme.

Çmimet e karburantit për aeroplanë janë rritur ndjeshëm që nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, që në mënyrë efektive u mbyll nga Teherani pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt.

Linjat ajrore evropiane kanë paralajmëruar se, nëse konflikti vazhdon, çmimet e biletave mund të rriten, fluturimet mund të anulohen dhe avionët mund të mbeten në tokë.

SHBA-ja ka zgjatur armëpushimin e përkohshëm me Iranin – që ishte paraparë të skadonte më 22 prill – por, ka në fuqi një bllokadë ndaj porteve iraniane. Palët, gjatë bisedimeve më 11-12 prill në Pakistan dështuan që të arrinin një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër